Subscribe

Në kuadër të vitit të Skënderbeut, shumë shpejt në Budapest do të vendoset monumenti i heroi tonë kombëtar.

 

Lajmin e dha kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë takimit që pati me homologun e Budapestit, István Tarlós.

 

“Me vendim të Këshillit Bashkiak të bashkive të Tiranës e Budapestit, brenda këtij viti do kemi bustin e Skënderbeut në Budapest, si shenjë e miqësisë që vijon prej kohës së tij dhe fuqizohet në kohët tona. Mezi presim që më pas ta pasurojmë miqësinë tonë me një aktivitet të dendur kulturor në art, muzikë, kërcim, sigurisht me një fokus edhe tek fëmijët, sporti dhe aktivitetet në natyrë”.

 

Kryetari i Bashkisë së Budapestit, garantoi se bashkëpunimi që ekziston mes dy bashkive do të forcohet.

 

“Para disa muajve kemi vendosur që t’i japim një frymëmarrje të re marrëdhënies tonë. Diskutuam në imtësi gjithë mundësitë për bashkëpunimin tonë dhe kemi përcaktuar edhe përgjegjësitë operative për këtë çështje. Në radhë të parë, për funksionimin e qytetit dhe për furnizimin me ujë, pra ujësjellësit, si edhe për qarkullimin rrugor. Një sektor tjetër në të cilin vendosëm që të bashkëpunojmë është edhe sektori i kulturës, çështjet e rinisë, sportit dhe të turizmit”.

 

Pasi zhvilluan një vizitë pranë pllakës përkujtimore “Janos Hunyadi” në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare, Veliaj në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy qyteteve, i dhuroi homologut hungarez “Çelësin e Qytetit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *