Ish deputeti dhe kryetari i PS Tiranë Ervin Bushati ka folur mbrëmjen e sotme për sulmin kibernetik në sistemet shtetërore dhe publikimin e të dhënave sensitive.

 

I ftuat në Quo Vadis me moderatoren Pranvera Borakaj, Bushati tha se pre e sulmeve të Iranit kanë rënë shumë shtete të NATO-s, teksa vlerëson vendimin e qeverisë për dëbimin e diplomatëve.

 

Ai tha se sa më shumë të dhëna të kenë në sisteme aq më shumë do ketë edhe sulme kibernetike, ku la të hapur mundësinë e një thyerje tjetër, me pretendimin se këto ndodhin edhe në SHBA.

 

Shumë vende të NATO-s kanë qenë nën sulmin kibernetik kohët e fundit dhe është një strategji e njohur tashmë e vendeve të paekuadruara në NATO, të paanëtarësuara dhe bëjnë sulme ndaj vendeve anëtare në NATO dhe përpiqen të nxjerrin të dhëna.

 

Këtë e kanë bërë në SHBA, e kanë bërë edhe në shumë vende më të zhvilluara. Fakti që kanë dalë disa dokumente, shkëmbime email-esh tregon që ndoshta do të duhet që në të ardhmen të jenë në një nivel edhe më të sigur komunikimi i shtetarëve apo njerëzve që kanë nevojë të kenë një komunikim të klasifikuar dhe patjetër që mendoj se qeveria shqiptare ka marrë vendimin e duhur duke larguar gjithë ambasadën e Iranit, pasi është provuar që sulmet kanë qenë nga ata.

 

Nuk është ndonjë gjë që mendoja se nuk do të ndodhte. Nuk ka të bëjë me të dhënat e qytetarëve, ka të bëjë për momentin me të dhëna të njerëzve në pushtet, pra zyrave dhe institucioneve të ndryshme.

 

Sa më shumë të dhëna të kemi në sistemiet elektronike, sa më shumë të zhvillohet teknologjia aq më shumë të dhëna mblidhen dhe ka mundësi që këto sisteme të hakërohen. Kjo ndodh në të gjithë botën”, tha Bushati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *