Subscribe

Ora 9.30 e mëngjesit të kësaj të shtune ka shënuar rinisjen e negociatave mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë. Delegacionet janë ngujuar duke shkëmbyer qëndrimet me qëllim zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve. Kufiri detar, ligji i luftës që Greqia mban në fuqi me vendin tonë, çështja çame dhe varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë në tavolinën e negociatave.

 

Në mbrëmje mësohet se delegacionet do të vizitojnë muzeun Mesjetar të qytetit të Korçës.

 

Nuk ka informacione dhe detajet lidhur me qëndrimet e palëve, duke ruajtur të njëjtin format si takimi i parë në ishullin grek të Kretës, nëntorin e kaluar.

 

Në ditën e parë e bisedimeve u konsumuan disa orë negociata. E ndërsa mbrëmjen e se premtes shefat e diplomacive të dy vendeve vizituan pazarin e vjetër të Korçës.

 

Negociatat do të vijojnë gjatë kësaj të shtune, për tu mbyllur paraditen e së dielës, kur pritet një deklaratë e përbashkët e dy ministrave të Jashtëm, ku do të mësohet diçka më shumë mbi rezultatet e këtij takimi të rëndësishëm.

 

Kontaktet njerëzore mes zyrtarëve të lartë të dy shteteve nuk do të mbeten vetëm në nivel ministrash të jashtëm. Në muajin prill të këtij viti kryeministri Edi Rama dhe homologu grek Aleksis Tsipras do të zhvillojnë një takim, ku do të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *