Subscribe

Në një kohë kur Europa prej kohësh përballet me sulme dhe kërcënime terroriste, lufta kundër radikalizmit ka qenë temë kryefjalë e deklaratave të ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Italisë. Pas përfundimit të takimit trepalësh, Ditmir Bushati, Paulo Gentiloni dhe Ivica Daçiç, i përcollën mediave mesazhin e bashkëpunimin më të fortë në luftën kundër terrorizmit.

Ditmir Bushati:

Është një realitet për të cilin asnjë vend nuk ndihet imun, është shumë e rëndësishme të kemi një përgjigje të përbashkët, që të përfshijë strukturat tona të inteligjencës e sigurisë në mënyrë të përbashkët. Besoj se preokupimet për rreziqet e radikalizmit dhe terrorizmit, fenomeni i luftëtarëve të huaj është shqetësim i përbashkët për qeveritë tona, të cilat janë të angazhuar në vendet e tyre duke aprovuar norma ligjore më shtrënguese. Shqipëria është vend ku bashkëjetojnë besime të ndryshme fetare, që ka një angazhim të rëndësishëm në luftën kundër radikalizmit dhe përbën faktor të rëndësishëm në rajon.

Jo vetëm terrorizmi, por edhe kriza e refugjatëve, është në krye të listëve të shqetësimeve të Bashkimit Europian. Ndaj dhe vendet jo anëtare përbëjnë një pikë referimi për të përballuar fluksin e madh.

Paulo Gentiloni:

Është e rëndësishme që të gjitha vendet të konvergojnë në shumë pika. Duhet një politikë e përbashkët europiane, pasi vetëm kështu mund të përballohet kjo sfidë. Nuk mundet vetëm që një vend të përballojë një situatë të tillë, pa patur burimet e nevojshme. Masat që merren në kufijtë e vendeve duhet të jenë të përbashkëta. Nëse nuk do të arrijmë ekziston rreziku që të kemi një efekt domino. Pra vendimet e ndërmarra nga një vend i vetëm të ketë pasoja në vendet fqinje dhe të vërë në diskutim marrëveshjen Shengen, apo lirinë e qarkullimit, një nga kolonat e BE. Nëse nuk duam të vëmë në rrezik Shengen duhet të modifikojmë rregullat e Dublinit.

Ivica Daçiç:

Në 2015 patëm 600 mijë refugjatë që kaluan përmes Serbisë dhe shkuan në BE dhe nuk ka pasur përgjigje të unifikuar, pasi të gjitha vendet anëtare kanë ndërmarrë veprime unilaterale. Ministri Getilioni na informoi për takimet me vendet e BE dhe do shohim se cilat do jenë hapat e mëtejshëm të BE, nëse do mbyllen kufijtë, apo do merren masa për përforcimin e kontrolleve kufitare.

Në takimin trepalësh të ministrave një vend të veçantë zuri dhe procesi i integrimit europian në vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ministri Bushati tha se gjithçka varet nga procesi i reformave. Gjatë qëndrimit në Tiranë, ministrat e jashtëm të Italisë dhe Serbisë, zhvilluan takime të veçanta me kryeministrin Edi Rama, me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si atë infrastrukturor, mbi projektet e përbashkëta në ekonomi, energji dhe turizëm. Ministri i Jashtëm Italian, ka pasur edhe një takim të veçantë me Presidentin e Republikës Bujar Nishani

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *