Subscribe

Gjykata e Durrësit vendosi “arrest me burg” për 46-vjeçarin Fredi Krasniqi që kishte kthyer katin e tretë e të katër të vilës në një shtëpi bari dhe që u kap edhe me arsenal armësh.

 

Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, i pandehuri tha para trupi gjykues se u detyrua të kultivonte kanabis për shkak të shpenzimeve të larta të një operacioni që duhet të kryente pasi është invalid.

 

Ndërkohë për armët ai pretendoi se i kishin mbetur në shtëpi nga vitit 1997. Pretendime këto që nuk u morën parasysh nga gjykata që vendosi ta mbyllë në qeli.

 

Avokati mbrojtës tha se gjatë gjyqit kërkoi një masë sigurie më të lehtë për shkak të gjendjes shëndetësore të 46-vjeçarit, duke mohuar që droga dhe armët t’i përkisnin një grupi të fuqishëm kriminal të zonës.

 

ALEKSANDËR NDREJAJ

 

AVOKAT MBROJTES

 

“Klienti im është invalid, prandaj kishte ndërtuar këtë “laborator”, për të nxjerrë shpenzimet për një operim qe duhet të kryente. Ndërhyrja kirurgjikale kushton më tepër. Në lidhje me armët kanë mbetur që nga 97’ dhe nga kontrolli ato arme janë të pluhurosura dhe kjo është konfirmuar.”

 

Arrestimi i Fredi Krasniqit, u bë tre ditë më parë në kuadër të operacionit policor “Krahët e Krimit”.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij policia sekuestroi 444 rrënjë kanabis sativa, materiale që shërbenin për ndërtimin e impiantit të drogës si dhe një arsenal armësh. Për ngjarjen, policia shpalli në kërkim edhe vëllain e tij, Selman Krasniqi, i cili rezulton të jetë në Itali.

 

Hetuesit kanë dyshime të forta se pas dy vëllezërve Krasniqi fshihet një grup i fuqishëm kriminal që operon në këtë zonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *