Subscribe

Gjykata e Korçës konfirmoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për 24 të arrestuarit e operacionit “Knock down”.

 

Në seancë e zhvilluar me dyer të mbyllura, organi akuzës mësohet se paraqiti para togave të zeza vetëm një pjesë të provave kundrejt të pandehurve. Duke mos dhënë kështu shumë detaje lidhur me rolin e tyre në trafikun e lëndëve narkotike.

 

Prova këto që mjaftuan për të bindur gjykatën, e cila vendosi t’i mbyllë në qeli të gjithë të akuzuarit. E njëjta masë sigurie u dha në mungesë edhe për 7 personat e tjerë të shpallur në kërkim të akuzuar për të njëjtën vepër penale: atë të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

 

Sipas dosjes hetimore, 33 personat e implikuar në këtë çështje trafikonin lëndë narkotike si kanabis, heroinë e kokainë. Aktivitetin kriminal ata e ushtronin kryesisht në qytetin e Korçës, por jo vetëm.

 

Nga hetimet e kryera, rezultuan si të implikuar dhe 70 persona të tjerë, të cilët po mbahen nën hetim nga ana e agjentëve të antidrogës. Mes tyre ka dhe disa punonjës policie, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë të tjera arrestime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *