Përpjekjet gjermane për ndërmjetësim mbi heqjen e vetos bullgare ndaj Shkupit, duket se nuk kanë dhënë rezultat.

 

Pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare në Luksemburg, Sofja deklaroi se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar sa i takon integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

 

TEODORA GENCHOVSKA

MINISTRE E JASHTME, BULLGARI

“Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet i politikës së jashtme bullgare, por meritat e secilit vend kandidat janë me rëndësi kyçe. Mbetet thelbësore që Bullgaria të arrijë rezultate të pakthyeshme në ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe marrjen e garancive të qarta në kuadër të procesit të negociatave me BE-në për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Fqinjësisë. Ne presim garanci kushtetuese për të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”

 

Përfundimi i procesit për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut e la të pakënaqur Sofjen sa i takon të dhënave për minoritetin bullgar ndërsa puna e komisioneve për çështjet historike dhe të gjuhës, nuk ka reflektuar progres.

 

Pas vizitës së tij zyrtare në Gjermani, kryeministri Edi Rama deklaroi se një veto bullgare ndaj Shkupit edhe në muajin qershor do të pasohet me ndryshimin e pozicionit të Tiranës.

 

Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, kjo sipas analistëve është një e drejtë që nuk i shërben integrimit të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *