Bujqësia sektori më i madh i ekonomisë me rreth (18.5 % te totalit), nuk po përparon me hapat e sektorëve të tjerë në periudhën post-pandemike edhe pse ka ende një hapësire të madhe të pashfrytëzuar për rritje.

 

Të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë të vitit referojnë për rritje me ritme dyshifrore në shumicën e sektorëve në krahasim me tremujorin e dytë të 2020 (Industria 39,9%, Ndërtimi 41,6%, tregtia 31,8%, informacioni dhe Komunikimi 13,3%, Aktivitetet Financiare 27,3%, Aktivitetet e pasurive të paluajtshme 10%, Aktivitete shkencore dhe profesionale 18.4%, Administrata publike, arsimi, shëndetësia 13.6%, Artet dhe argëtimi, 34 %). Vetëm bujqësia ishte më rënie 0.6 %.

 

Rënia e sektorit bujqësor pasqyrohet edhe në ecurinë e punësimit. INSTAT referon se për të njëjtën periudhë në bujqësi ishin 47 mijë punonjës më pak se në 3-mujorin e dytë të vitit 2020.

 

Gjatë tremujorit të dytë 2020 gjatë karantinës totale, ndryshe nga shumë sektorë të tjerë puna në bujqësi nuk u pezullua dhe sektori u zgjerua me 1.9 për qind, ndërsa i gjithë viti u mbyll me rënie 0.2%.

 

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se, volumi i prodhimit bujqësor ka shënuar rritje, por vlera e shtuar dmth rritja në vlerë e bujqësisë si sektor është cenuar nga çmimet e lëndëve të para.

 

Sektori i bujqësisë shënoi rënie në mënyrë paradoksale, pavarësisht masave që mori qeveria për subvencionimin e naftës pa akcize ndaj fermerëve dhe me rritjen e mbështetjes me grante nga fondet IPARD që ishin më të larta sidomos para zgjedhjeve.

 

Sektori më i madh i ekonomisë shqiptare me 18 % të PBB -se dhe 40 % të punësimit total vuan nga mungesa e produktivitetit. Paga mesatare e sektorit është më e ulëta në vend në krahasim me sektorët e tjerë dhe me ulëta në raport me punonjësit e bujqësisë në Ballkanin Perëndimor.

 

Sipas përllogaritjeve të Monitor duke u bazuar në të dhënat e INSTAT dhe statistikave zyrtare të vendeve përkatëse, Shqipëria ka pagën më të ulët në bujqësi me 291 euro. Më pas renditet Maqedonia e Veriut me 457 euro, Serbia me 550 euro. Paga më e lartë është në Malin e Zi, ku sipas statistikave zyrtare, një i punësuar në bujqësi atje paguhet 766 euro.

 

Një i punësuar në bujqësi paguhet 30% më pak se paga mesatare e vendit. Por edhe pse me nivelin me një nivel të ulët pagese, Shqipëria ka përqindjen më të lartë të forcës punëtore në këtë sektor krahasuar me rajonin. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 40.2% e forcës punëtore i përkiste sektorit të bujqësisë, me një diferencë të thellë me vendet e rajonit. Në Bosnje dhe Hercegovinë, forca punëtorë në sektorin e bujqësisë ishte rreth 19.2%, ndërsa në Serbi 19%. Në Maqedoni të punësuarit në bujqësi përbënin rreth 16.4% të forcës punëtore, kurse Mali i Zi ka shënuar përqindjen më të ulët me vetëm 7.6% të të punësuarve në sektorin bujqësor.

 

Për fat të keq, ndonëse, ka një përqindje të konsiderueshme të burimeve njerëzore në këtë sektor, ata janë jo produktiv. Krahasuar me Malin e Zi që kishte përqindjen më të ulët të të punësuarve në këtë sektor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri vlera e shtuar në ekonomi është 5 herë më e vogël, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

 

Bujqësia shqiptare ende vuan prej fragmentarizmit të tokës bujqësore, ku fermeri e ka të vështirë që të krijojë ekonomi shkalle. Në të njëjtën kohë sektori i bujqësisë ka vuajtur edhe mungesën e politikave të qëndrueshme për të nxitur zhvillimin e sektorit. Fermerët vijojnë të mbjellin në mënyrë të paorganizuar dhe janë të pa orientuar me tregun rajonal apo më gjerë./Monitor.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.