“Brukseli i bëri pretencën Ramës”, Berisha: Krimet e qeverisë nuk mund të fshihen, votat u blenë nga krimi
Takimet e tij në Bruksel, kryedemokrati Sali Berisha i cilësoi si gjyqin e munguar ndaj kryeministrit Edi Rama për atë që opozita e konsideron masakër elektorale në zgjedhjet e 11 majit.
“Kurrë ndonjëherë në 34 vite, Brukseli nuk ka qenë më shqiptar se sa ato dy ditë të javës së kaluar. E marta dhe e mërkura e javës ishin ditët në të cilat, në tempullin e demokracisë, u mbrojtën interesat jetike të shqiptarëve, vota e lirë e tyre dhe u bë pretenca ndaj Edi Ramës, farsës elektorale, mandateve kallp. U bë pretenca e shtetit monstruoz elektoral shqiptar. U bë pretenca e narkoshtetit shqiptar, të Pojave, Çelave, Bajrëve, etj.”
Kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se Rama nisi dy përfaqësues për të spiunuar takimet e tij me Partinë Popullore Europiane, e cila pranoi nga ana e saj të nisë një mision faktmbledhës në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit.
“Por të gjitha këto fije mblidhen tek një njeri, tek Edi Rama, i cili kuptoi dhe nisi me urgjencë dy përfaqësues të tij, të cilët e mbrojtën apo e tradhtuan atë, nuk e di, por një gjë u them shqiptarëve: dolën nga ajo mbledhje me fytyrë të nxirë, më të nxirë se këpucët e tyre. Dhe njëri prej tyre, ata që e panë, konstatuan se ishte në shok psikik. Po, absolutisht. Pastori ku mbahej, kurse Etieni ishte sfazuar fare. U kthyen dy spiunët e qeverisë siç erdhën. Unë i quaj të pafajshëm sepse ishin para një misioni të pamundur.”
Berisha pretendon se skandalet e qeverisë tashmë nuk mund të fshihen. Opozita pretendon se vullneti i shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit u deformua, pasi sipas saj, votat u blenë nga grupet e krimit.
/vizionplus.tv




