Për Bashkimin Europian reforma zgjedhore duhet te jete pika e nisjes se dialogut mes palëve për zgjidhjen e krizës politike ne vend. Pas një aktiviteti tek Ministria e Jashtme, ambasadori i BE ne Tiranë Luigi Soreca ka deklaruar se ka ardhur koha qe te gjitha partitë te ulen e te diskutojnë për reformën zgjedhore.

 

Luigi Soreca: “U kemi kërkuar të gjitha partive politike të nisin dialogun që prej nisjes së krizës. Dikush ka numëruar 35 thirrje për dialog dhe ne vijojmë ta bëjmë. Mendoj se dialogu duhet të nisë nga një pikë e veçantë dhe kjo mund të jetë reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore është e rëndësishme e mund të jetë momenti kur të gjitha partitë politike të kthehen e të diskutojmë se çfarë është më e rëndësishme për shqiptarët, zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, e bërë në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

 

Diplomati i BE ka theksuar se edhe vendimi për çeljen e negociatave mund te ndihmoje dialogun mes opozitës e mazhorances ne Shqipëri.

 

“Mendoj se vendimi për nisjen e negociatave mund të ndihmojë shumë dialogun. Të gjitha palët politike duhet të kuptojnë se 91% e qytetarëve shqiptarë dëshirojnë t’i bashkohen BE-së. Unë mendoj se të gjithë këta 91% të shqiptarëve i përkasin të gjithë spektrit politik shqiptar.”

 

Pak jave para vendimit te vendeve anëtare te BE, Soreca ka deklaruar se ka ardhur koha qe te çelen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë ne BE.

 

Mendojmë se tetori është momenti kur Këshilli duhet ta marrë këtë vendim. Unë mendoj se edhe vende të tjera anëtarë po reflektojnë. Ky është momenti kur autoritetet shqiptare duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që të mbërrijnë më 18 tetor me të gjitha letrat në rregull. Pra është e rëndësishme të vazhdojnë takimet në këto 5 javë. Kryeministri shqiptarë është në Berlin për një takim të rëndësishëm me kancelaren Merkel dhe ne jemi të bindur se qeveria gjermane do t’i japë motivim shtesë qeverisë dhe institucioneve shqiptare për të provuar se ashtu sikundër Komisioni Europian beson, Shqipëria është gati.”

 

Gjermania pritet t’i thotë një PO me kushte Shqipërisë për hapjen e negociatave, por ajo qe ende mbetet e paqarte deri ne 18 tetor është qëndrimi i Francës e cila është skeptike ne raport me zgjerimin.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *