Bruksel, takim urgjent për emigrantët

Udhëheqësit e Bashkimit Europian u mblodhën në Bruksel në një takim urgjent ku diskutuan mbi temën që është kthyer në shqetësimin kryesor në disa vende të Unionit. Liderët e BE kërkuan të ndihmojnë njëri-tjetrin për të menaxhuar fluksin e refugjatëve që po vërshojnë masivisht në vendet e Bashkimit Europian. Por Spanja dhe Franca duan t’i strehojnë refugjatët në kampe të mbyllura.
Pak para takimit, Kancelaria Merkel u shpreh se nuk pret një sukses të shpejtë në zgjidhjen e çështjes së refugjatëve.
“Bëhet fjalë si mund ta ndihmojnë shtete të veçanta anëtare njëra-tjetrën dhe jo të presin gjithmonë për një zgjidhje. Por njëkohësisht synimi mbetet që në fund të arrihen baza të përbashkëta evropiane”.
Edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron e mbështeti idenë e kancelares për të vendosur me shumicë votash. Nëse nuk arrihet marrëveshje me të 28 anëtarët, një grup më i vogël mund të përparojë me trajtimin e kësaj teme.
“Por çdo zgjidhje për imigrimin duhet të bazohet në të drejtat e njeriut dhe parimet e solidaritetit, ku mbështetet BE”, tha Macron.
Franca dhe Italia janë shprehur për ngritjen e kampeve të mbyllura, në territorin e BE. Sapo mbërrijnë refugjatët, ata duhet të strehohen në “qendra të mbyllura”, është shprehur Macron pas takimit të së shtunës me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez në Paris.
Kriza e emigracionit, është problem madhor për rreth 500 milionë qytetarët e BE-së. Mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare kanë çuar në forcimin e kufijve të jashtëm dhe ashpërsimin e rregullave të azilit. Nën presion të madh nga votuesit në vend, udhëheqësit e BE kanë bërë përpjekje se si të shpërndajnë kërkuesit e azilit në bllok.



