Në një raport të shtunën të ministrisë mbritanike të Mbrotjes thuhet se “gjasat janë që rekrutët e sapomobilizuar nga ana e Rusisë, të jenë pak ose aspak të stërvitur për luftë”.

 

Sipas raportit Moska po has ndoshta në vështirësi në aftësimin profesional të të mobilizuarve në shtator e me gjasë dhe të atyre që parashikon t’i rekrutojë brenda këtij muaji, si pjesë e një cikli të rregull vjetor.

 

Forcat e Armatosura ruse po hasin vështirësi aktualisht me stërvitjen e rreth 300 mijë trupave si pjesë e mobilizimit të pjesshëm të njoftuar në shtator. Këtij numri pritet t’i shtohen edhe 120 mijë rekrutë të tjerë, mobilizimi i të cilëve nis më nëntor“, thuhej në njoftimin e ministrisë mbritanike të Mbrotjes.

 

Rusia ka shfrytëzuar Bjellorusinë për stërvitje, për shkak të mungesës së personelit për këtë qëllim, municioneve dhe objekteve për stërvitje.

 

“Dislokimi i trupave pak ose aspak të stërvitura, ofron pak aftësi shtesë luftarake sulmuese”.

 

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara njoftuan se po ofrojnë rreth 400 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e nëntë të saj.

 

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha në një deklaratë se paketa e fundit mbi sigurinë “thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për të mbështetur Ukrainën, për të përmbushur nevojat e saj më urgjente, si dhe për të ndërtuar gjithashtu kapacitetet e Forcave të Armatosura të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin e saj, në planin afatgjatë”.

 

Që nga fillimi i sulmit të paprovokuar dhe brutal të Rusisë më 24 shkurt Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 18.2 miliardë dollarë për Ukrainën “, thuhej në deklaratën e Pentagonit./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *