Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, ka paralajmëruar “një valë të re” emigrantësh shqiptarë, që pritet të kalojnë Kanalin “La Mansh” gjatë muajve të verës.

 

Ministrja britanike i është referuar një studimi të porositur nga ambasada britanike në Tiranë, që tregon se gjysma e të rinjve shqiptarë duan të udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe në mënyrë ilegale.

 

Sipas “The Telegraph”, sondazhi bazohet në 1 mijë e 800 familje në Kukës, që cilësohet si zona kryesore në Shqipërinë veriore për emigrantët. Të dhënat e publikuara tregojnë se gjysma e të rinjve të moshës 17 dhe 22 vjeç donin të largoheshin nga atdheu dhe të udhëtonin drejt Britanisë, duke marrë parasysh të gjitha rreziqet e kalimit të kanalit.

 

Paralajmërimi vjen pasi kryeministri Rishi Sunak dhe Braverman përshëndetën një rënie prej 90 përqind të numrit të shqiptarëve që mbërrinin me gomone, të cilën e morën si një dëshmi se “goditja e tyre” me masa të ashpra ndaj kalimeve ilegale po funksiononte. Shifrat kanë rënë nga 2 mijë e 165 në periudhën janar-qershor të 2022, në vetëm 151 në pesë muajt e parë të këtij viti.

 

Megjithatë, Braverman u tha deputetëve se qeveria “nuk ishte e vetëkënaqur”, pavarësisht rënies së numrit dhe do të vazhdojë të monitorojë kalimet nga shqiptarët. Kryeministri britanik theksoi se statistikat kanë treguar se pranimi i azilkërkuesve është ulur. Nëse më parë pranoheshin një në pesë raste azili, tani pranohen një në 50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *