Ministria e Jashtme e Britanisë tha të premten se Ambasada e vendit në Ukrainë po largohej nga kryeqyteti Kiev dhe u tha shtetasve britanikë të largoheshin nga vendi derisa mjetet komerciale të udhëtimit janë ende në dispozicion.

Zyra e ambasadës në Kiev po zhvendoset përkohësisht dhe stafi do të operojë nga një zyrë në qytetin Lviv, tha ministria. Kjo zhvendosje po bëhet në mesin e frikës së një pushtimi të Ukrainës nga Rusia.

“Çdo veprim ushtarak rus në Ukrainë do të ndikonte rëndë në aftësinë e qeverisë britanike për të ofruar ndihmë konsullore në Ukrainë”, tha ministria.

“Shtetasit britanikë nuk duhet të presin rritje të mbështetjes konsullore ose ndihmë për evakuimin në këto rrethana”, u tha tutje në deklaratë.

Në javët e kaluara edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia e Kanadaja kanë zhvendosur ambasadat e tyre nga kryeqyteti ukrainas.

Vendet perëndimore në javët e fundit e kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra në rast se pushton Ukrainën.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake të Rusisë gjenden në zonat në kufi me Ukrainën.

Kremlini këmbëngul se NATO-ja nuk duhet ta pranojë kurrë Ukrainën dhe duhet të tërheqë forcat e saj pranë kufijve të Rusisë./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *