Një grup i sofistikuar kamerash, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar në vlerën e 1.6 milionë paundëve është instaluar në kufirin Shqipëri-Kosovë për t’i bërë ballë emigracionit të paligjshëm dhe bandave kriminale në rajon.

Pajisjet përfshijnë një flotë dronësh dhe kamerash për identifikimin e targave që do t’i lejojnë sistemit shqiptar të dallojë automjetet britanike të përdorura nga kriminelët që përpiqen të shmangin gjurmimin nga policia lokale.

Dronët e rinj do t’u lejojnë autoriteteve të zbulojnë emigrantët që përpiqen të kalojnë përmes rajonit, nga zonat malore të Shqipërisë, të cilat janë të vështira për t’u arritur nga policia. Kamerat e automjeteve do të ndihmojnë policinë britanike dhe shqiptare të punojnë ngushtësisht bashkë, në gjetjen më të shpejtë të të dhënave dhe ndarjen e informacionit kur një makinë dyshohet të jetë e përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore apo sjellje të tjera kriminale.

Ministri Kundër Emigracionit të Paligjshëm, Michael Tomlison vizitoi Shqipërinë këtë javë, ku pa nga afër teknologjinë e re dhe mënyrat se si vendi po godet bandat e trafikut të qenieve njerëzore.

Ai vizitoi projektin kryesor të Mbretërisë së Bashkuar, “Perspektiva të Reja”, i konceptuar për të krijuar mundësi arsimimi, vende pune dhe sipërmarrjeje për të garantuar një të ardhme të begatë për të rinjtë shqiptarë. Ministri u takua me të rinjtë që kanë përfituar nga nisma në qytetin verior, Kukës.

Pas kësaj, ministri udhëtoi drejt kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, për konferencën ministeriale ku morën pjesë nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Së bashku me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ata diskutuan mënyrat për të bashkëpunuar ngushtësisht për të adresuar sfidat e përbashkëta të emigracionit të paligjshëm.

Këto iniciativa mbështeten në partneritetin tonë të suksesshëm, i cili ndikoi në reduktimin me mbi 90% të barkave të vogla që vinin në Mbretërinë e Bashkuar nga Shqipëria.

Ministri Kundër Emigracionit të Paligjshëm, Michael Tomlinson tha:

“Partneriteti me Shqipërinë dhe puna që kemi bërë së bashku për të rritur kthimet është referencë për mënyrën se si dëshirojmë të punojmë me partnerët tanë në rang botëror. Pothuaj asnjë shtetas shqiptar nuk ka arritur në Mbretërinë e Bashkuar me barka të vogla.

Ne kemi shënuar rezultate të shumta jo vetëm në reduktimin e emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, por edhe në ndihmën për t’u ofruar mundësi shqiptarëve të qëndrojnë dhe të prosperojnë në vendin e tyre. Puna jonë për të ndaluar barkat e vogla nuk nis në Kanalin anglez, por në burim.”

Kjo bën pjesë në shtimin e aktivitetit të Ministrisë së Brendshme në rang kombëtar, për të trajtuar emigracionin e paligjshëm. Kontrollet e agjencive ligjzbatuese u rritën me 68 % vitin e kaluar dhe arrestimet u dyfishuan, ndërsa kthimi i personave që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 26.000.

Gjatë kësaj javë janë regjistruar ndalime në prag të fluturimeve të para në Ruanda, që pritet të ndodhin në shtatë apo nëntë javë. Plani i qeverisë për Ruandën do të pengojë emigrantët e pambrojtur për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme në Kanal dhe të sigurojë se ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, nuk mund të qëndrojnë.

Qeveria ka njoftuar gjithashtu një plan për të reduktuar numrin e emigrantëve që do të kishin ardhur vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar me 300,000 – reduktimi më i madh ndonjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *