Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për “një pjesë të madhe” të marrëveshjes që do të çojë në “largimin e rregullt” të Britanisë nga blloku.

 

Negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, tha se dy palët janë pajtuar për një periudhë të tranzicionit, duke e quajtur atë një “hap vendimtar”. Ai i bëri këto komente në Bruksel pas takimit me sekretarin e Britanisë për Brexit, David Davis.

 

Periudha e tranzicionit do të nisë nga dita e Brexit-it, më 29 mars dhe do të zgjasë deri në dhjetor 2020.

 

“Kompromis është arritur – sipas Barnier, – edhe në raport me të drejtat e 4.5 milionë qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe dhe 1.2 milionë qytetarëve britanikë në bllokun europian, pas realizimit të shkëputjes”.

 

Ndërkohë, mbetet ende punë për të bërë në lidhje me disa pika kyçe, siç është kufiri i Irlandës së Veriut apo Gjibraltari. Si Londra, ashtu edhe Brukseli shpresojnë që parimet e marrëveshjes mbi periudhën kalimtare të marrin “dritën jeshile” të udhëheqësve të bllokut gjatë samitit të tij këtë javë.

 

Të dyja palët shpresojnë se kushtet e marrëveshjes për periudhën e tranzicionit do të mund të nënshkruhen në një samit të BE-së këtë javë.

 

Britania ka vendosur të lërë Bashkimin Evropian në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *