Prej variantit Omikron të virusit korona përfundojnë më pak pacientë në spital në krahasim me variantin Delta.

 

Sipas të dhënat paraprake të publikuara nga Agjencia Britanike e Shëndetit Publik (UKHSA), personat e infektuar me variantin Omikron të virusit korona kanë rreth 50% deri 70% më pak gjasa të përfundojnë në spital sesa ata të infektuar me variantin Delta.

 

UKHSA theksoi se analiza e saj ishte “paraprake dhe shumë e pasigurt” për shkak të numrit të vogël të pacientëve me variantin Omikron në spitale dhe faktit se shumica u përkasin grupmoshave të reja.

 

Sinjal inkurajues

Megjithatë drejtorja ekzekutive e UKHSA-s, Jenny Harries, tha se ky është “një sinjal i hershëm inkurajues që njerëzit që infektohen me variantin Omikron mund të jenë relativisht më pak në rrezik për t’u shtruar në spital, sesa ata që infektohen me variante të tjera”.

 

“Gjithësesi duhet theksuar se këto janë të dhëna të hershme dhe nevojiten më shumë kërkime për t’i konfirmuar këto gjetje,” tha ajo.

Gjetjet janë në përputhje me studimet e fundit të Imperial College London dhe me hulumtimet e kryera në Afrikën e Jugut, ku varianti Omikron u zbulua për herë të parë, sipas së cilave ky variant mund të jetë më i butë nga sa mendohej fillimisht./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *