Subscribe

Teksa grupi i punës vijon ende diskutimet për përcaktimin e formulës për vendosjen e referencës për njësitë akomoduese turistike, mes socialistëve ka zëra që mendojnë se kjo praktikë nuk e lufton dot evazionin fiskal që e karakterizon sektorin e turizmit. Ministria e Turizmit dhe ajo e Financave synojnë të përcaktojnë një numër dhomash të shfrytëzueshme për strukturat akomoduese për periudha të ndryshme, për të marrë më pas prej tyre detyrimin tatimor, por sipas deputetit Erjon Braçe, zgjidhja kundër informalitetit nuk vjen nga referenca, por duke bërë funksional sistemin e fiskalizimit.

“Janë zgjidhje këto referencat? Unë mendoj që jo. Referencat shumë shumë do të kapin ato që janë të dukshëm. Vjet thelbi i turizmit ishte Saranda. A e dini që në Sarandë keni apartamente luksi që në ditë jepen me 1000 euro dhe i keni në Booking. Çfarë bëjmë ne? I kënaqemi këtij fakti që ai pronari merr ato para? Dhe që ne nuk jemi represivë ndaj pronarit të atij apartemnti? Kjo është me të hedh hi syve. Sistemi i fiskalizimit të funksionjë dhe analiza mbi të dhënat e sistemit të fiskalizimit. Nuk i kushton asnjë inspektori që në detyrën e tij në atë zonë që mbulon të bëjë analizën ditore të xhiros të deklaruar në atë sistem.”, tha deputeti i PS Erion Braçe.

Qeveria e mbrojti këtë praktikë, duke argumentuar se caktimi i referencës në turizëm nevojitet për të luftuar fenomenin e nëndeklarimit të qarkullimit nga ana e sipërmarrjeve turistike.

“Ka nënraportim të kapaciteteve dhe qarkullimit që bëjnë, turnoveri është 8-9 herë më i madh se qarkullimi real. Nëse ne marrim në konsideratë 10 mln turistë, me 4 netë qëndrimi, kemi një numër disa herë më të lartë se deklarimet e subjekteve. Një nga mekanizmat është caktimi i kuotave, sepse një hotel me 50 dhoma nuk mund ta mbani për të shfrytëzuar 5 dhoma në korrik dhe gusht dhe është e paarsyesghme të mos caktohen referenca sepse është e pamundur të kontrollojmë çdo dhomë, çdo hotel.”, deklaroi drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera.

Debati për referencat në sektorin e turizmit u zhvillua gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, që miratoi rishikimin e buxhetit të këtij viti, duke vendosur në dispozicion fondin prej 4 mld lekësh për garancinë sovrane që do të përfitojë sektori i manifakturës./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *