Subscribe

Skemat e mbështetjes për fermerët duhet të ndryshojnë dhe të jenë gjithëpërfshirëse.

Deputeti socialist Erion Braçe i kërkoi ministres së Bujqësisë Frida Krifca gjatë raportimit në komision që blegtorët të rimbursohen për çdo litër qumësht dhe jo më për krerë nëse synohet që në tavolinat shqiptare vendin kryesor ta kenë produktet vendase dhe jo ato të importit.

Braçe shtoi se duhet të rriten fondet, me qëllim që të mbulohen me mbështetje të gjithë fermerët përfitues, jo vetëm ata që aplikojnë të parët, njësoj siç po ndodh me skemën e naftës ku rreth 15 mijë fermerë janë ende pa marrë kartën e naftës.

ERION BRAÇE

DEPUTET I PS

 

“Skemat tona të mbështetjes janë të padrejta. Nëse ne vendosim kritere që përfitimi nga skema nis nga 10 lopë ë sipër, unë nuk mund të shpallem jofitues pse paratë mungojnë. Është e padrejtë që tjetri të mos përfitojë. Kaluam nga tufa me 5 lopë në 10 lopë. I nxitëm të bëhen bashkë, të bashkojnë tufat dhe tani matet koha e aplikimit, në çfarë minuti? Kjo është e padrejtë. Mbështetja buxhetore duhet të shkojë te kg, te litri. Nuk duhet të jetë më te tufa. Më intereson produktiviteti, por edhe sasia e prodhimit që vjen për saj. Skema e naftës është planifikuar më pak 1.3 mld lekë planifikohet për vitin e arshshëm, nga 1.9 që ishte. Në kushtet që në këtë vit kemi lënë ende bujq pa marrë naftën, si mund të planifikohet më pak naftë për vitin e ardhshëm. Si mund të bëhen skema të tilla? Nëse duhet riparë, hajde ta rishohim. Si ta bëjmë më efektive. Por që të planifikohet për vitin tjetër më pak sesa është zbatuar deri tani, nuk më bën logjikë.

 

Kritika Erion Braçe pati edhe për mbështetjen me 30 mijë lekë për çdo hektar të mbjellë më grurë, duke kërkuar lehtësi në plotësimin e dokumentacionit për fermerët fitues.

 

 

ERION BRAÇE

DEPUTET I PS

 

“Pse duam me çdo kusht të bëjmë kakofoni apo të mos iu përgjigjemi shqetësimeve të bujqve. Nga 7 mijë aplikantë, kanë plotësuar dokumentacionin vetëm 800. Ne nuk e marrim dot sipërfaqen e mbjelljes me grurë në këtë rrugë.”

 

 

Nga ana e ministres Krifca nuk pati komente për shqetësimet e ngritura nga deputeti Braçe, ndërsa shtoi se për të mbuluar nevojën e të gjithë fermerëve për naftën pa taksa, do të kërkohet nga Ministria e Financave një shtesë fondi. Buxheti për bujqësinë për vitin 2023 është dyfishuar në raport me këtë vit, duke kapur vlerën e 14.2 miliardë lekë, por deputetët kërkuan nga Ministria e Bujqësisë që në hartimin e politikave të jetë e kujddesshme për të adresuar problemet reale të bujqësisë e blegtorisë, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore dhe rënien e krerëve.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *