Deputeti socialist Erion Braçe ka rikthyer në vëmendje ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe shprehet se socialistët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes alternativave dhe jo thjesht të përballen me një kandidaturë të vendosur paraprakisht.
Duke iu referuar informacioneve që, sipas tij, qarkullojnë në terren për persona që po përgatiten për garën, Braçe thotë se kjo është një shenjë e mirë për Partinë Socialiste.
“Më kanë shkruar shumë dje, një ditë më herët, plot. Zgjodha të them ca gjëra nga Kombinati. Më thonë që i është thënë filanit e fistekes që ti do bëhesh, punoni se e keni mundësinë. Nuk ka gjë më të mirë se PS të ketë alternativa për kandidat për kryetar bashkie. Një prej tyre jam edhe unë e nuk ka pasur njeri të më thotë vazhdo puno. Unë kam filluar të njoh qytetin, të them çfarë mendoj për qytetin dhe të them se çfarë duhet që ky qytet të kthehet i jetueshëm, i pastër, me gjelbërim dhe në krye të punëve nga mëngjesi në mbrëmje. Gjë e mirë që dalin emra dhe nxiten. Tregon që ka gjallëri dhe energjizim. Por ajo që unë mendoj ka të bëjë me faktin që unë nuk preferoj të jem njoftim e socialistët nuk do votojnë një njoftim. Qytetarët e Tiranës nuk do votojnë një njoftim. Ti nënshtrohet votimit dhe Tirana merr njeriun e duhur përmes votës, jo përmes njoftimit”, tha Braçe.





