Shefi i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell në një intervistë të gjatë për të përditshmen malazeze Vijesti, deklaroi se çdo vend kandidat për në Union duhet të përmbushë standardet dhe rregullat që mbështesin vlerat thelbësore të BE-së dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet anëtare.

 

Sipas tij, është e rëndësishme që rajoni të bëjë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, që është një angazhim politik i bërë nga gjashtë liderët e rajonit në samitin në Sofje.

 

Ne po punojmë së bashku, shtoi Borrell,  për të reduktuar varësinë energjetike nga Rusia, më pak varësi do të thotë më pak para për buxhetin e luftës që ka hapur Kremlini.

 

Intervista e Borrell:

 

Kryeministri i Greqisë tha së fundmi se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të presin anëtarësim në BE vetëm në vitin 2033? A jeni dakord me këtë parashikim dhe a jeni të vetëdijshëm për pasojat gjeopolitike të kësaj perspektive?

 

Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në interesin tonë të përbashkët dhe do të forcojë gjeopolitikisht si BE-në ashtu edhe rajonin. Anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita. Çdo vend kandidat duhet të përmbushë standardet dhe rregullat që mbështesin vlerat thelbësore të BE-së dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet anëtare. Kushtet janë të qarta dhe i takon kandidatëve t’i përmbushin ato. Kjo është arsyeja pse është e vështirë të caktohet ndonjë kornizë kohore e saktë, pasi procesi është kryesisht në duart e partnerëve tanë.

 

Nëse pranimi është përfundimisht një vendim politik i marrë nga shtetet anëtare, dhe disa anëtarë e kundërshtojnë zgjerimin e BE-së, si është e mundur zgjerimi pa reformën e BE-së?

 

Këshilli Evropian ka konfirmuar vazhdimisht angazhimin e tij të qartë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi. E ardhmja e rajonit është në BE.Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një thirrje zgjimi kur bëhet fjalë për nevojën për të përshpejtuar procesin e bashkimit me Ballkanin Perëndimor. Nuk kemi kohë për të humbur.Procesi i reformës së BE-së duhet të ecë paralelisht me hapat e ardhshëm në procesin e zgjerimit.

 

Në samitin e BE-së nuk pati zhvillime në integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë filluar negociatat, Kosova nuk ka marrë liberalizimin e vizave. Sa mund të ndikojë kjo në rënien e mbështetjes për anëtarësimin në BE dhe në rritjen e euroskepticizmit?

 

Ne jemi të përkushtuar për përmirësimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë politike, teknike dhe financiare për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar ata të avancojnë reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike që janë të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.

Progresi në prioritetet e reformës duhet të çojë në integrimin më të ngushtë të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, punën për integrimin e përshpejtuar dhe “futjen graduale” në politikat individuale, programet dhe tregun e BE-së. Kjo do të sjellë zhvillim solid dhe të përshpejtuar ekonomik dhe përfitime të prekshme për qytetarët.

Ka masa shtesë konkrete që mund të ndërmerren për t’u lidhur më ngushtë me partnerët tanë, si ftesa e ministrave të jashtëm në Këshillin për Punët e Jashtme dhe hapja e organeve të tjera këshillimore për partnerët tanë në mënyrë që ata të mund të marrin pjesë si mysafirë të rregullt. Sa i përket anëtarësimit në BE, vendet anëtare vazhdojnë të vendosin unanimisht për hapat e ardhshëm në proces.

 

Si e sheh BE-ja Ballkanin e Hapur? Zyrtarët e BE-së thonë se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe Kosova refuzon të anëtarësohet. A do të thotë kjo se nuk do të ketë mbështetjen e BE-së?

 

 

Angazhimi i liderëve për bashkëpunimin rajonal është një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim Asociimit. E kuptoj plotësisht dëshirën për të ecur përpara.Në të njëjtën kohë, një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor.Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të bëjë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, që është një angazhim politik i bërë nga gjashtë liderët e rajonit në samitin në Sofje.Nëpërmjet Planit Ekonomik dhe Investimeve, ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke realizuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke krijuar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së./Vijesti

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *