Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka biseduar përmes telefonit me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me takimin e së shtunës në Ohër, midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
Dy zyrtarët thanë se tani është momenti për të bërë hapa domethënës në interes të Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin integrues.
“Të dy u pajtuan se ky është momenti i duhur për të bërë hapa domethënës përpara në interes të integrimeve në BE të Kosovës dhe Serbisë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga BE-ja.
Në komunikatën e lëshuar nga BE-ja u tha se biseda u përqendrua në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim, në cilësinë e vëzhguesit do të marrë pjesë edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Borrell informoi sekretarin Blinken për zhvillimet e fundit të lidhura me procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehu pritjet nga takimi i Ohrit dhe nënvizoi rëndësinë e përparimit në dialog në të mirë të aspiratave evropiane të të dyja palëve”, u tha në njoftim.
Të shtunën në Ohër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky dokument prej 11 nenesh, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Serbia insiston që Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq Kosova kërkon që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian e ndërmjetëson këtë proces, ndërkaq Shtetet e Bashkuara, ndonëse nuk janë palë e dialogut, e mbështesin atë./REL/