Subscribe

Nisur nga sufiçiti i lartë që po karakterizon buxhetin si pasojë mbledhjes së të ardhurave, por ecurisë së ngadaltë të investimeve, qeveria njoftoi një bonus të ri për të gjitha shtresat në nevojë. Bëhet fjalë që çdo familje me ndihmë ekonomike, invalid, ata me aftësi të kufizuar, etj., të cilët do të përfitojnë  5 mijë lekë bonus. Ministri i Financave, Ervin Mete, e konsideroi këtë si një bonus social.

“Paketa përfshin bonuse sociale në të njëjtën masë të shpërblimit që sapo iu akordua pensionistëve për: 64 mijë përfitues të ndihmës ekonomike, 73 mijë përfitues të pagesave mbështetëse të aftësisë së kufizuar, 36 mijë familje me fëmijë në ndihmë ekonomike, 68 mijë invalidë të punës, 44 mijë përfitues të pensioneve familjare’, tha Mete.

Por përfitues, përveç shtresave në nevojë, do të jenë 1100 punonjës të administratës publike. Janë ata punonjës që kanë përfaqësuar Shqipërinë në negociatat për integrimin e vendit.

“Parashikohet një shpërblim për 1144 punonjës të administratës shtetërore, përfaqësues në takimet bilaterale të zhvilluara në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE, edhe për shkak të rezultateve të lavdërueshme dhe të vlerësimeve të larta që kanë marrë edhe nga Komisioni Evropian. Gjithashtu ka një mbështetje për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor në një vlerë totale prej rreth 800 milionë lekë”, tha Mete.

Qeveria ndryshon dy herë buxhetin e 2023 brenda dy muajsh. Në total janë 20 miliard lekë që po rialokohen, duke i fokusuar fondet tek ato fusha dhe sektorë që garantojnë shpenzimet brenda vitit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *