Subscribe

Kryetari i LDK, Isa Mustafa kritikoi kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani për mungesën e kësaj të fundit në seancën e djeshme parlamentare.

Përmes një postimi në “Facebook”, Mustafa tha se Osmani duhet të ishte në krye të detyrës në momentin kur partia e saj po votohej si aleate në qeveri.

“Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë. E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm.”

Dy fjalë Isa Mustafa i tha edhe për Albin Kurtin që refuzon të dorëzojë karrigen e kryeministrit tek Avdullah Hoti.

“Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve. Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremonin e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij. IM”

Avdullah Hoti u zgjodh të mërkurën për të drejtuar qeverinë e re të Kosovës me 61 vota, minimumin e kërkuar. Senaca parlamentare u bojkotua nga nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *