Ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi komentoi deklaratën e autoriteteve arsimore për testin e Gjuhë-Letërsisë për maturantët, që ka shkaktuar shumë debat. Boçi tha në “Facebook” se ata mbrojtën idiotësitë e veta dhe se kjo i bën të duken qesharakë.
“A e morët vesh?!! Na është mbledhur vetë MASR, QSHA, DPAP, KOMSH, për të gjykuar gafat e veta në testin e Letërsisë. Njëzëri, sipas “komunikatës” së shpërndarë, kanë mbrojtur me heroizëm, pas një debati të imët, idiotësitë e veta. Jo vetëm që i kanë dhënë plotësisht të drejtë vetes për gjithçka, por dhe kanë nxjerrë një përcaktim absolut! MASR, QSHA, DPAP, KOMSH na qenkan brenda. Brenda dhe me Lasgushin dhe me shkencën dhe me kompetencën dhe me programin. Të gjithë të tjerët pa gërma të mëdha, specialistë, mësuesë, pedagogë, maturantë nuk marrin vesh. Madje sipas tyre “të gjithë maturantët janë treguar budallenj”!!! Sepse gabimet në tekst, kjo “tufa e të mençurve” i paska vënë kastile! Kastile për të zbuluar kompetencat e…BESËS. U shfaqën kështu plotësisht siç janë: Të shpifur e qesharakë deri në pafundësi!”
Sipas Boçit, Besa Shahini po tallet me maturantët dhe po ju nxijnë të ardhmen.





