Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi deklaroi se qytetarët e Elbasanit injoruan kryeministrin Edi Rama pasi nuk e përfillën gjatë vizitës së tij.

 

Në një postim në “Facebook”, Boçi shprehet se Elbasanit I ka ardhur në majë të hundës harbutëria dhe mashtrimi i qeverisë.

 

Sipas tij, ka ardhur koha që revolta ndaj qeverisë të kthehet në detyrë qytetare dhe të largohet qeveria.

 

“Elbasani injoron e braktis Ramën! U prit me protesta dhe iku si mi i lagur. Madje dhe administrata e vet e sjellë aty me forcë, nuk pati durimin as ta dëgjonte e as ta duronte. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Elbasanit të urtë i kanë ardhur në majë të hundës harbutëria, mashtrimi dhe makutëria e plasur sheshit e kësaj qeverisje. Nën efektin e “mallit”, Rama u mundua të bënte si përherë humorxhiun e të shante si grua e ligë opozitën, para njerëzve të sjellë me autobuza në sheshin e braktisur, me ekrane modernë. Por njerëz, mos kini më iluzione! Ky është kolera e këtij vendi. Pasi e ka helmuar, e ka mashtruar, përcmuar e kriminalizuar këtë vend, kërkon ta përdhosë. Shiheni me vëmendje videon e xhiruar pak km larg qytetit të Elbasanit. Është ulëritëse, tragjike, revoltuese dhe e papranueshme tek e sheh. Vula e turpit e një bande-qeveri. Ky, që habitet e ankohet pse ne domosdoshmërisht duam t’i presim rrugën e marrëzisë në shekullin e 21, e ka kthyer Shqipërinë në shekujt e bujkrobërisë, sundimit të varfërisë, sundimit të llumit e antiligjit. Rama arriti të mbrehë në parmendë dhe burrin dhe gruan, siç e paraqet videoja, ndërsa rreh gjoksin paturpësisht për suksese e reforma. Kjo është Shqipëria e shekullit 21 nën Ramën. Ky është realiteti i dhimbshëm ku jetojmë, prandaj heshtja sot është krim. Revolta është detyrë qytetare! E keqja duhet shporrur!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *