Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi shprehet se në lojën e PS-së për të deformuar votën e qytetarëve kanë hyrë edhe drejtorët e shkollave, të cilët i konsideron militantë që i shërbejnë partisë dhe jo nxënësve.

Në një postim në “Facebook”, Boçi denoncon se drejtori i kësaj shkolle, Ervin Goxhaj, me urdhër politik dhe të paligjshëm iu ka kërkuar mësuesve të mbledhin kartat e identitetit të prindërve.

 “Drejtorët e shkollave janë urdhëruar të marrin të dhënat personale nga prindërit e nxënësve. Prindërve u është kërkuar në grupet e ëhatsapp -it që të dërgojnë foto të kartave të identitetit, me justifikimin e teksteve mësimore. Ky është një keqpërdorim skandaloz që u bëhet shkollave, është një politizim i dëmshëm i qendrave të dijes, të cilat po kthehen në organizata partie.Prandaj ndodhem në shkollën “Onufri” më Elbasan. Drejtori i kësaj shkolle, Ervin Goxhaj, me urdhër politik dhe të paligjshëm u ka kërkuar mësuesve të mbledhin kartat e identitetit të prindërve.  Ky është një grup online i një klase në këtë shkollë, ku, në vend të ndahet shqetësimi për mësimin e cunguar dhe pa kushte, nxënësve u kërkohen kartat e identitetit të prindërve, sepse Edi Ramës dhe Taulant Ballës nuk i dalin llogaritë.”

Boçi deklaroi se drejtori i kësaj shkolle do të çohet për ndjekje penale për vjedhje të identitetit të  votuesve shqiptarë

“Komunikimet elektronike që provojnë këtë ne i disponojmë dhe Drejtori i kësaj shkolle do të çohet menjëherë për ndjekje penale. Kjo do të ndodhë me këdo që do të guxojë të vjedhë identitetin e votuesve shqiptarë përmes mekanizmash të fëlliqur dhe presionit ndaj mësuesve. Nga Elbasani, i kërkoj Ministres së  Arsimit të ndërpresë këtë praktikë që, së pari, turpëron atë vetë si pedagoge që ka dhënë mësim në Elbasan. Të mos u sigurosh nxënësve kushte normale për mësim apo kushtet minimale të sigurisë për shëndetin, por t’u kërkosh më dhunën e pushtetit të dhëna personale për llogari të partisë në pushtet, është kriminale.  Asnjë skemë e tillë, asnjë makinacion nuk e shpëton dot Edi Ramën nga humbja. Numërimi mbrapsht për të ka filluar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *