Subscribe

Opozita maqedonase nuk pajtohet me ligjin për gjuhën shqipe dhe ka bllokuar sot punën e Kuvendit duke parashtruar mbi 35 mijë amendamente, shqyrtimi I të cilave sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferri, do të marrë kohë.

 

Sot ishte parashikuar votimi I tretë i ligjit për gjuhën shqipe pasi presidenti Gjorge Ivanov nuk e dekretoi atë me arsyen se cenon sovranitetin e vendit. Ndërkohë opozita pretendon se Ligji është sjellë në procedurë shumë jotransparente, pa konsultime me ekspertë dhe grupet më të vogla etnike.

 

Më herët gjatë ditës kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së që të sillet me maturi dhe të heqë dorë nga amendamentet.

 

“Unë jam Zoran Zaev, që udhëhiqte luftën për liri dhe demokraci. Demokracia për ne paraqet imperative. Secili nga opozita ka të drejtë të dorëzojë amendamente dhe kjo duhet respektuar, por njëkohësisht duhet pasur parasysh se përmes kësaj të drejte bllokohet puna e Kuvendit. Unë jam i shqetësuar se çfare do te ndodhe me reformat. Maqedonia është përballe një klime pozitive për fillimin  e negociatave dhe shpresoj qe ne qershor te kemi edhe një date për bisedimet”.

 

Ndërkaq, zëvendëskryeministri për çështjet e integrimit, Bujar Osmani vlerëson se VMRO-DPMNE si parti opozitare, duke propozuar mbi 35 mijë amendamente për Ligjin e gjuhëve, humbet shansin historik për të dëshmuar se kjo parti ka ndryshuar qasjen ndaj shqiptarëve.

 

Edhe  kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela i ka bërë thirrje VMRO-DPMNE-së që të heqë dorë nga amendamentet, duke nënvizuar se me këtë ligj nuk plotësohen tërësisht kërkesat e shqiptarëve, por krijohet mundësi që të realizojnë një të drejtë të mohuar.

 

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 69 vota pro nga Parlamenti më datë 11 janar. Me këtë ligj, ishte parashikuar një shtrirje më e gjerë e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror.

 

Diskutimet e sotme ne parlament u shoqëruan edhe me një klimë tensioni, si pasojë e protestës së militantëve të opozitës para selisë së Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *