Subscribe

Mazhoranca socialiste tërhoqi për të tretën herë nga Parlamenti ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e 84 deputetëve. Opozita është shprehur kundër këtij ligji, pasi sipas saj qeveria synon të blejë Kushtetuesen, ndaj deputetët demokratë nuk u përfshinë në debate.

Por në seancën e sotme socialistët ishin  kritikët më të fortë të këtij propozimi të qeverisë që rroga e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të bëhet rroga më e lartë në vend, 7.7 milionë lekë, dhe e anëtarit të kësaj gjykate 6.4 milionë lekë.

Dy prej deputetëve më me shumë eksperiencë, Fatmir Xhafaj e Erion Braçe, kritikuan masën e rritjes për 9 gjyqtarët. Në mënyrë të veçantë Xhafaj kritikoi shtesën prej 58% që Kushtetuesja me këtë ligj merr për vështirësi pune duke vënë në dukje se SPAK-u, gjykata e posaçme e gjykata e lartë kanë një detyrë shumë më të vështirë.

“Të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetues na paskan të njëjtën vështirësi pune me gjyqtarët, prokurorët, drejtuesit e SPAK, kjo nuk do të ishte lajthitje por çmenduri në ditë vere”, tha Fatmir Xhafaj.

Xhafa solli në vëmendje se asnjëherë më parë rritja e pagës për Kushtetuesen nuk ka ardhur nga qeveria, por është miratuar nga parlamenti për të mbrojtur pavarësinë e një gjykate që merr në shqyrtim vendimet e qeverisë.

“Ata duhet të dëshmojnë se drejtësi jo vetëm që nuk është një mall që shitet e blihet por as edhe një shërbim që shkëmbehet me privilegje të pamerituara apo të pajustifikuara të çfarëdolloj qofshin ato”, shtoi Xhafaj.

Edhe socialisti Erion Braçe doli kundër.

“Çmimi i punës nuk përcaktohet nga karrigia, përcaktohet nga puna dhe kjo historia hajde rrisim , hajde rrisim , hajde rrisim pa kufi rroga do vijë një moment që do kthehet në flluskë në këtë vend”, deklaroi Braçe.

Propozimi për rritjen e pagës së anëtareve të Gjykatës Kushtetuese erdhi nga qeveria në parlament vjet në shtator, por deri më tani qeveria nuk ka arritur të bindë as opozitën dhe as të gjithë deputetët socialistë për të votuar pro këtij ligji./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *