Bllokimi i qarkullimit në aksin Librazhd-Pogradec ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave të transportit publik dhe të produkteve ushqimore.
Drejtuesit e mjeteve ndërqytetëse tregojnë se janë detyruar të rrisin çmimin, pasi rruga alternative është më e gjatë dhe e amortizuar, çka rrit kostot e karburantit dhe mirëmbajtjes, ndërsa numri i udhëtarëve ka rënë ndjeshëm.
“Kosto shumë e madhe, e rritëm çmimin me 300 lekë. Rruga në mënyrë skandaloze. Mjetet e reja i amortizon. Sot iki në orën 9 me dy veta. Kosto e madhe për mua. Është e detyrueshme. Dje autobusi është nisur me një person dhe ka ardhur në Korçë me një person. Nuk ka lëvizje fare”, thotë një drejtue mjeti.
Rritje çmimesh ka pasur edhe në tregun e fruta-perimeve, për shkak të kostos më të lartë të transportit që po përballojnë furnitorët.
“Çmimet janë të larta. Ura ra, është rrugë e gjatë të vish, me kosto, me shpenzime. Blerja ka rënë, dobët. Ambienti i bukur, por s’ka njerëz”, thotë një tregtar.
Më parë një biletë udhëtimi nga Korça drejt Tiranës kushtonte 700 lekë, ndërsa sot 1000 lekë. Ndërkohë, produktet ushqimore kanë pësuar rritje deri në 20%, duke rënduar më tej buxhetin e qytetarëve.





