Kontrollorët e trafikut ajror të Albcontrol, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ndërprenë të mërkurën punën e tyre, pas uljes së pagave nga 4.400 dollarë në 2.200 në muaj. Për pasojë, të gjitha fluturimet nga dhe drejt këtij aeroporti u anuluan dhe Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Transportit Ajror ka paralajmëruar vazhdimin e pezullimit të fluturimeve deri të enjten në mesditë.

I ftuar në “Zgjedhje 2021” nga Alban Dudushi dhe Pranvera Borakaj, në Vizion Plus, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, z. Eduard Shalsi, u shpreh se kjo situatë e krijuar është një akt i dirigjuar nga segmentet e opozitës.

“Do thoja se është një akt, sa jo ligjor, sa jo i paprecedentë, aq edhe i turpshëm, me jo thjeshtë background politik, por i konceptuar, i dirigjuar dhe i realizuar siç po duken faktet e protagonistëve të kësaj greve nga segmente të opozitës. Nga pikëpamja politike mund t’ju them që është një peshqesh që i është bërë kësaj mazhorance. Por, është një dhuratë politike të cilën nuk do ta donim, për shkak të kostove që ka shkaktuar për qytetarët, pa përmendur këtu cënimin e reputacionit të Shqipërisë.”

Më tej, Shalsi ka sqaruar që prekja e rrogave, një ndër shqetësimet kryesore të kontrollorëve, është bërë si efekt i pandemisë, e cila e vendosi gjithë botën përballë sfidave të tilla.

“Duhet kuptuar një gjë, pandemia e çakordoi rruzullin tokësor, e vendosi botën përpara sfidave të paprecedenta. Nuk kishim një sjellje normale dot, për sa kohë edhe vendet e zhvilluara u kapën të papërgatitura përpara kësaj. Pra, nuk është një situatë normale…”

Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, duke iu referuar uljes së pagës së kontrollorëve të trafikut ajror nga 4400 dollarë në 2500 dollarë, u shpreh se kjo pagë, sipas tij nuk është e ulët e ndër të tjera nuk mund të konsiderohet burim stresi.

“Është prezantuar një plan, edhe i plotë edhe i detajuar, i cili punon natyrisht me disa skenarë, edhe trafiku në të ardhmen. Efektet financiare të shkaktuara nga rënia e trafikut… është bërë një plan se si të kalojmë nga ky nivel page që duhet thënë është 2500 dollarë. Nuk është aspak e ulët dhe nuk mund të jetë e ritheksoj, kurrsesi, burim stresi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *