Deputetja e LSI, Silva Caka i ka bërë thirrje ministres së Financave, Anila Denaj që të zhbllokojë buxhetin e Bashkisë së Skraparit.

 

Në një postim në “Facebook”, Caka e akuzon ministren se ka shmangur interpelancën në lidhje me buxhetin e Bashkisë së Skraparit me qëllim.

 

Sipas Cakës,  me bllokimin e buxhetit të Bashkisë shumë qytetarë kanë mbetur pa marrë rrogat dhe për rrjedhojë duke fillaur nga java tjetër në këtë qytet do të mbyllen kopshtet, çerdhet, konvikti etj.

 

“Thirrje drejtuar Ministres së Financave: Zonjë, ne e kuptojmë që këtë punën e Ministres e ke marrë si ato nuset sefte dhe po i gëzohesh udhëtimeve të “muajit të mjaltit”, por ke detyra më të rëndësishme sesa udhëtimet me Kryeministrin. Je thirrur dy herë për interpelancë urgjente, lidhur me bllokimin e buxhetit të Bashkisë Skrapar dhe të dyja herët nuk është zhvilluar interpelanca, për arsye se ti po fluturon. Ne sigurisht nuk do donim të të prishnim udhëtimin për ditën e Shën Valentinit, por kur pamë që ishe prezente në sallën e Parlamentit, na u krijua bindja, që edhe ti si shumë të tjerë në atë Qeveri, nuk doni të përballeni me përgjegjësi dhe gënjeni paturpësisht! Zonjë, ti fluturo e bëj ç’të të dojë qejfi, por në Skrapar janë dhjetëra familje që nuk po marrin rrogat, për shkak se ti ke bllokuar buxhetin e Bashkisë; në Skrapar, nga e hëna që vjen, do të mbyllen kopshtet, çerdhet, konvikti dhe Qendra për Fëmijët me Aftësi Ndryshe dhe kjo e gjitha se ti ke bllokuar buxhetin dhe nuk gjen dot kohën të marrësh përgjegjësi për këtë çështje.”

 

Deputetja Caka i kërkon ministres që të marrë përgjegjësitë administrative pasi në të kundërt do të procedohet penalisht.

 

“Ne dhe qytetarët e Skraparit e kemi shumë të qartë që kjo situatë ka degraduar deri në këtë pikë, si pasojë e urdhrave që ti ke marrë nga Mavria me bojë dhe se kjo është urrejtje dhe hakmarrje ndaj qytetarëve të Skraparit, por me skrapalinjtë nuk bëni dot filma me rilindas. Prandaj, merr përgjegjësitë administrative që të takojnë, se je betuar mbi Kushtetutë dhe zhblloko buxhetin, në të kundërt do marrësh përgjegjësi civile e penale për gjithë dëmin që po u shkakton njerëzve të ndershëm të Skraparit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *