Subscribe

Ashtu siç pritej, as seanca e sotme parlamentare nuk ishte normale.

 

 

Foltorja u bllokua vetëm pak minuta pas nisjes nga një grup deputetësh të PD dhe qëndroi e tillë gjatë gjithë seancës, duke detyruar deputetët të flasin nga vendi.

 

 

Ndërsa zhurma e bilbilit shoqëroi të gjitha fjalimet, përfshirë edhe ato të opozitës.

 

 

Opozita paralajmëroi se situata do të jetë e ngjashme në çdo seancë, derisa Rama të pranojë përballjen për çështjen “McGonigal” dhe ngritjen e një komisioni hetimor.

 

 

EDMOND SPAHO

DEPUTET I PD

“Pse keni frikë? Nuk do të ketë tolerim nga ne. Asnjë çështje tjetër nuk do të diskutohet në Kuvend, pa u bërë mocioni me debat. Doni ta konfliktoni situatën, ta çoni në përplasje? Është zgjidhja juaj. Ne do të sillemi në përputhje me sjelljen tuaj.”

 

 

MONINA KRYEMADHI

DEPUTETE E PARTISE SE LIRISE

 “Na ka mbetur vetëm t’i thyejmë karriget kokës njëri-tjetrit. Këtu po na detyroni të shkojmë. Funksionimi i Kuvendit është gjëja më e rëndësishme që mund të ruajë edhe imazhin tuaj. Po shkel procedurat. Edhe administrata që menaxhon seancat.”

 

 

Kaosi vijoi edhe pasi mazhoranca njoftoi se më 2 mars do të ketë debat maratonë për çështjen “McGonigal”.

 

Për mazhorancën, rrëmuja që shkakton opozita në Parlament flet qartë për frikën që ajo ka nga drejtësia.

 

 

TAULANT BALLA

KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

“Ne e dimë që skenari është një skenar që ndodh në çdo seancë. Sot familjarët e personave, dëshmorëve të vrarë në 21 Janar janë SPAK për të depozituar një kallëzim penal ndaj Berishës, ne jemi në këtë situatë në Kuvend. Ndërkohë që në SPAK është ngritur akuzë për vrasje në Gërdec, kjo situatë do të ndodhë. E papranueshme që ju të çoheni aty dhe mbroni një deputet që vinte vërdallë në seancë i pijshëm dhe me një bilbil në gojë.”

 

 

ELISA SPIROPALI

MINISTRE PER MARREDHENIET ME PARLAMENTIN

“Nuk e di në çfrë pike të rendit të ditës jemi…Ndoshta jemi në pikën e rendit të ditës ku hajduti të akuzon se je hajdut… Populli ua ka dhënë përgjigjen. Përgjigjen e ka marrë dhe do ta marrin me 14 maj. As e kanë mundur dot, as do ta mundin dot. Nuk kanë fytyrë, as moral, kanë vetëm bilbila.”

 

 

Veç bilbilave, gjatë seancës u aludua se deputetët e opozitës kanë marrë me vete në sallë edhe flakadanë.

 

 

TAULANT BALLA

KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

“Mos e nxirr nga xhepi flakadanin z. Spaho.”

 

 

Thirrjet e njëpasnjëshme të nënkryetares së Kuvendit për qetësi nuk e normalizuan situatën, dhe, edhe diskutimet për pikat e rendit të ditës u zhvilluan mes zhurmës.

 

 

 

Në këto kushte, drejtuesja e seancës Ermonela Felaj njoftoi përjashtimin e Edmond Spahos për 10 ditë, duke ju bashkuar kështu grupit të demokratëve të përjashtuar më herët.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *