Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar lirimin e gazetarit të arrestuar të Wall Street Journal – në një telefonatë të rrallë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

 

Lavrov tha se SHBA nuk duhet të politizojë arrestimin.

 

Gazetari amerikan, Evan Gershkovich, u arrestua të premten me akuzën për spiunazh. Wall Street Journal i ka mohuar këto akuza.

 

Ministria e Jashtme e ruse konfirmoi të dielën se Blinkeni dhe Lavrovi diskutuan arrestimin e gazetarit amerikan, në një telefonatë që u iniciua nga SHBA-ja.

 

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinkeni përcolli “shqetësim të madh për ndalimin e papranueshëm të një gazetari amerikan nga Rusia”.

 

Lavrov u përgjigj duke përsëritur pretendimet e Rusisë se Gershkovich u kap “në flagrancë duke u përpjekur të merrte informacion të klasifikuar” dhe se çështja e tij do të trajtohet nga gjykatat ruse, thuhet në një deklaratë të MPJ-së ruse.

 

Gjatë telefonatës, Blinkeni kërkoi gjithashtu lirimin e shtetasve të tjerë amerikanë të arrestuar në Rusi, duke përfshirë ish-marinsin amerikan, Paul Whelan, i cili gjithashtu mbahet nën akuzat për spiunazh për më shumë se pesë vjet.

 

Gershkovich, 31 vjeç, është korrespondent i njohur në Moskë i Wall Street Journal. Gazeta humbi çdo kontakt me të të mërkurën pasdite, pas së cilës u zbulua se ai u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – agjencia ruse për siguri dhe kundërzbulim që e ka pasuar agjencinë KGB të kohës sovjetike.

 

FSB pretendoi se kishte ndaluar “aktivitetet e paligjshme” dhe se gazetari ishte arrestuar “duke vepruar sipas udhëzimeve të SHBA-së”.

 

Spiunazhi në Rusi mund të dënohet deri në 20 vjetë burgim.

 

Arrestimi i Gershkovich është dënuar nga gazetarët në mbarë botën.

 

Në një letër drejtuar ambasadorit rus në SHBA, Anatoli Antenov, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e quajti arrestimin e Gershkovich “të pajustifikuar dhe të padrejtë” dhe akuzoi qeverinë ruse si kundër shtypit.

 

Gershkovich është gazetari i parë i një mediumi amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit shkaku i luftës në Ukrainë./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *