Alyaksandr Lukashenka, lideri de fakto i Bjellorusisë, është duke e përgatitur një kurth, thonë kundërshtarët e tij, për ata të cilët ikën jashtë vendit për të shpëtuar nga sundimi i tij shtypës.

 

 

Ambasadat bjelloruse nuk do të lëshojnë më e as nuk do t’ua vazhdojnë pasaportat shtetasve të vet që jetojnë jashtë vendit, sipas një dekreti të ri të publikuar nga Lukashenka më 4 shtator. Nëse iu nevojitet një dokument, bjellorusët do të detyrohen të kthehen në atdhe për ta marrë.

 

 

Kritikët druhen se forcat e sigurisë së Bjellorusisë do të jenë duke pritur. Besohet se rreth 200.000 – 300.000 bjellorusë e kanë braktisur vendin që nga gushti 2020, kur Lukashenka u emërua president për mandatin e gjashtë pesëvjeçar, pas zgjedhjeve të cilat u dënuan nga shumë si të montuara.

 

 

Anëtaret e BE-së dhe NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia, të cilat ndajnë kufirin me Bjellorusinë, ndihet tejet të shqetësuara për sigurinë kufitare qëkur qindra mercenarë të Wagnerit të regjur nga betejat, mbërritën në Bjellorusi me ftesë të Lukashenkas, pasi iu dështoi kryengritja e nisur në Rusi.

 

 

Në shkurt, Qeveria e Lukashenkas e themeloi një komision gjoja për t’i ndihmuar bjellorusët që kanë mëdyshje se atë kthehen në shtëpi, duke iu ofruar atyre të dhëna praktike, përfshirë nëse urdhërarrestet i presin ata në shtëpi.

 

 

Kritikët frikësohen se komisioni është thjesht një tjetër mjet për t’i gjetur kundërshtarët e Lukashenkas – diçka për të cilën edhe ai vetë aludoi më 6 shkurt.

 

 

“Ne nuk duhet t’i kërkojmë vetëm ata të ashtuquajturës opozitë në mërgim. Mund të ketë të tjerë. Ata e kuptojnë shumë mirë se ne do t’i gjejmë gjithsesi. Dikush do të aplikojë në komision. Me komision do të zgjidhni gjithçka”, tha Lukashenka asokohe.

 

 

Për bjellorusët e vetëdijshëm nga rreziku për arrestim, opozita e organizuar jashtë vendit shpreson se ata do të zgjedhin versionin e tyre të dokumentit të njëjtë. Anëtarët e opozitës bjelloruse që kanë ikur në mërgim shpalosën një “pasaportë të re kombëtare” alternative më 6 gusht.

 

 

Valer Kavaleuski nga grupi Kabineti i Bashkuar në detyrë i Bjellorusisë, tha në një konferencë në Varshavë se bisedimet me Bashkimin Evropian për njohjen e kësaj pasaporte kanë nisur tashmë.

 

 

Është e paqartë nëse komuniteti ndërkombëtar apo bjellorusët do ta zgjedhin këtë. Shumë analistë, megjithatë, parashikojnë një rritje të numrit të bjellorusëve që, ose do të kërkojnë azil jashtë vendit, ose do të aplikojnë për nënshtetësi në vendet e huaja ku jetojnë./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *