Florian Zekja koordinator i shoqatës “Pro-Eksport” është i mendimit se nisma “Paqja Fiskale me biznesin” është një projekt, i cili në thelb ka përmirësimin e marrëdhënieve mes shtetit dhe biznesit.
Gjatë një interviste në emisionin “E-ZONE”, Zekja tha se shtyllat kryesore ku mbështetet ky program janë ato që në të vërtet shqetësojnë komunitetin e biznesit.
“Për mua këto masa janë ato që në të vërtetë biznesi vuan prej kohësh. Në vitet e fundit qindra mijëra biznese kanë kaluar në sfida të mëdha për shkak të pandemisë, zhverësimit të euros apo kanë kaluar problematika të tjera. Kjo situatë ka sjellë edhe detyrime të papaguara, gjoba apo kamatë-vonesa. Falja e këtyre detyrimeve apo penaliteteve që do të ndërmeren janë masa në drejtim e duhur”, tha Zekja.
Sipas Florian Zekjas biznesi është i gatshëm që të pranojë këto masa, me kushtin që të mos ketë kontrolle. Edhe pse me digjitalizimin e shërbimeve kontaktet me strukturat e shtetit janë reduktuar, zbatimi i programit “Paqja fiskale” do të ndikojë në shmangien e praktikave korruptive nga inspektorët.
“Ky është vetëm një draft. Ne do të analizojmë më gjerë lidhur me këto masa të propozuara. E rëndësishme është që të shmangim kontrollet e tepërta nga inspektoriatet e ndryshme, të cilat lënë vend për keqinterpretim të ligjit dhe për rrjedhojë edhe për ryshfet”, shtoi ai.
Kjo nisëm, sipas Zekjas ofron mundësinë edhe të vetëkorrigjimit, pasi u jepet mundësia bizneseve që të rishikojnë bilancet e tyre kundrejt një tatimi të reduktuar.
/vizionplus.tv