“Bizneset kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh! Pa siguri ushqimore s’ka siguri kombëtare”

Mijëra bare dhe restorante gjatë kësaj jave janë përballur me prishje apo çmontime të strukturave që kanë patur në hapësirat publike, në kuadër të aksionit të urdhëruar nga kryeministri.
Realiteti është se shumë prej tyre nuk kanë patur thjesht disa tavolina për të ofruar shërbimin, por në shumë raste ka patur zaptim të hapësirave, ndërsa institucionet e shtetit kanë mbyllur sytë përballë kësaj situate.
Arvi Kita sipërmarrës në fushën e bareve&restoranteve gjatë një interviste në emisionin E-ZONE thotë se “bizneset kanë gjetur shesh e kanë bërë përshesh”.
“Shumë subjekte kryesisht në Tiranë kanë patur një leje provizore për të ushtruar aktivitet, jashtë objektit. Një leje provizore do të thotë se një ditë ai aktivitet që po zhvillohet mund dhe të mbyllet. Por ne e dimë që pas një tavoline, vijnë një vazo me lule, më pas vjen një strukturë metalike me xham, më pas vjen një çadër apo një tarracë, pra nuk mbaron tendenca për të përfituar çdo hapësirë të mundshme. Në këtë situatë përgjegjësia është e dyanshme. Edhe biznesi dhe strukturat e shtetit që e kanë lejuar. Me pak fjalë bizneset kanë gjetur shesh dhe kanë bërë përshesh”, tha Kita në Vizion Plus.
Aksionet të tilla do të kenë edhe efekte sociale, pasi mund të shoqërohen edhe me shkurtime të vendeve të punës për stafin. Por paralelisht me këtë aksion, nisma për sigurinë ushqimore për sipërmarrësin Kita është edhe më e rëndësishme.
“Për mua pa siguri ushqimore nuk ka siguri kombëtare. Ne përfaqësuesit e restoranteve jemi hallka fundore e këtij zinxhiri. Importuesi, prodhuesi dhe transportuesi janë hallka më kryesore të cilët kanë nevojë të jenë më të monitoruar për kushtet dhe standardet që aplikojnë në produktet e tyre. Unë mendoj se këto nuk janë vetëm aksione, janë reforma të mirëfillta të cilat mendoj se do të kenë efekte të prekshme në vijim”, sqaroi Kita në emisionin E-ZONE në Vizon Plus.
Mandati i katërt qeverisës ka në fokus objektivin e anëtarësimit në BE. Hapja e negociatave për grupkapitujt ka shtuar presionin për të patur rregulla siç i kërkon Bashkimi Europian, ndaj dhe këto aksione duhet të kthehen në reforma me impakt për qytetarët.
/vizionplus.tv




