Bota po ndjek me vëmendje zhvillimet në Pakistan, ku ka përfunduar faza e parë e bisedimeve midis SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund krizës në Lindjen e Mesme.
Edhe pse burime pranë delegacioneve të të dy vendeve raportojnë se është bërë njëfarë përparimi në çështjet që lidhen me sulmet izraelite ndaj Libanit, lirimin e aseteve që Irani ka nevojë urgjente dhe çështje të tjera, “gjembi i madh” mbetet Ngushtica e Hormuzit, ndërsa pala iraniane ka theksuar se Uashingtoni se ka bërë kërkesa të tepërta.
Një burim pranë ekipit negociator të Teheranit i tha CNN se SHBA-të kanë bërë “kërkesa të papranueshme” mbi Ngushticën e Hormuzit dhe disa çështje të tjera.
Edhe Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr raporton se SHBA-të kanë bërë “kërkesa të tepërta” ndaj bashkëbiseduesve të tyre iranianë.
Ndërkohë, Financial Times raportoi, duke cituar burime të besueshme të cilat thanë se kalimi detar mbetet një pikë e kontestuar ashpër. Irani këmbëngul në ruajtjen e kontrollit të Ngushticës dhe vendosjen e detyrimeve të tranzitit mbi anijet, dhe negociatorët e tij e kanë hedhur poshtë propozimin për menaxhim të përbashkët.





