Subscribe

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka patur një komunikim konstant me një nga pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtirin.

 

Për një periudhë vetëm 3 mujore përgjatë korrik-tetorit të 2012, SPAK ka arritur të rikuperojë 138 biseda telefonike të fshira, të cilat tregojnë se bashkëbisedimi Mërtiri- Ahemtaj, ka qenë tejet miqësor me nofka e pseudonime.

 

Prokuroria e posaçme mundi ta sigurojë telefonin Blackberry pas kontrolleve që ka ushtruar së bashku me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në vilën e ish bashkëshortes së Arben Ahmetajt.

 

Celulari sipas dosjes voluminoze prej 400 faqesh të SPAK ka qenë në pronësi dhe është përdorur nga ish zëvendëskryeministri.

 

Nga tabulatet e zbardhura të bisedave, SPAK ka arritur të gjejë edhe një tjetër komunikim të Ahmetajt me ish kryetarin e bashkisë së Fierit asokohe, Baftjar Zeqo, të cilit i kërkon që të takohen të dy së bashku me Mirel Mërtirin.

 

Sipas SPAK kjo provon lidhjen e hershme mes të dyve, marrëdhënie e cila është forcuar edhe pas 2014, moment që përkon me marrjen e postit të Arben Ahmetaj si ministër i ekonomisë.

 

Organi i akuzës pretendon se falë miqësisë së hershme të Ahmetajt me Mërtirin, ky i fundit në bashkëpunim me dy pronarët e tjerë, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto përfituan koncesionin për inceneratorin e Elbasanit.

 

Gugallja, njëherësh administratore e kompanisë Alb-Tek-Energy dhe bashkëjetuese me Mërtirin, së bashku me Zoton administrator i Integrated Technology Services, që do të kryente punimet e djegësit kanë shfrytëzuar lidhjet e Mërtirit me Ahmetajn për të ngritur skemën aferës së impiantit në Elbasan.

 

Ish- numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj, akuzohet për tri vepra të rënda penale, atë të korrupsionit që rrezikon nga 1 deri në 5 vjet burgim, pastrimit të parave që parashikon një dënim nga 5 deri në 10 vjet heqje lirie dhe akuzën e fshehjes së parave që dënohet deri në tri vjet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *