Dhuna dhe bullizmi online janë kthyer në një nga fenomenet më të rrezikshme, ku shumë adoleshentë dhe të rinj po humbin jetën.
Rasti më i fundit ishte humbja e jetës së 15 vjeçarit Erjon Boba, i cili u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij në Durrës, pas një konflikti mes tyre.
Por çfarë po ndodh me adoleshentët në Shqipëri?
Klaudio Pulaha, punonjës social, ka dhënë më shumë detaje rreth fenomenit të vrasjes së të rinjve. I ftuar në emisionin “Live në mëngjes” në Vizion Plus, Pulaha u shpreh se vetëm gjatë vitit 2025, në “Alo116” kanë mbërritur 150 denoncime nga adoleshentë që kërkojnë ndihmë.
Por edhe aplikacioni i Tik Tok sipas tij, mbetet një problem në vendin tonë, duke theksuar se në 3 vitet e fundit, 5 adoleshentë kanë mbetur viktimë e sherreve online.
“Mbyllja e Tik Tok na e ka vështirësuar punën.në na vijë raportime për bullizmin online që ndodh në këtë platformë
Gjatë 3 viteve të fundit kemi pasur 5 fëmijë të cilët kanë humbur jetën për shkak të zënkave dhe bullizmit në rrjetin dixhital apo në shkolla. Gjatë 2025, 150 raportime në Alo116 nga fëmijët dhe adoleshentët kanë kërkuar ndihmë.
Në janar 2025, të gjitha strukturat e shoqërisë civile morën një plan për sigurinë në shkolla. Por kur një plan strategjik nuk buxhetohet, është e vështirë të zbatohet. Në shkolla mungojnë shërbimet për adoleshentët, që ata të marrin ndihmë psikologjike në shkollë apo edhe në komunitet”, tha Pulaha.
I pyetur nga moderatori Florian Agalliu se ku kemi dështuar si shoqëri, me këto bilance që kemi, Pulaha u shpreh:
“Më vjen keq ta them, por kemi dështuar të gjithë. Komuniteti është bërë indiferent, shkolla ka humbur rolibn që duhet të ketë. Mësuesi ka humbur rolin që ka pasur më parë. Kemi mësues që kanë frikë përballë këtyre rasteve. Ata mendojnë se mund të rrezikohen nga këta nxënës, sapo dalin nga shkolla. Familja ka humbur rolin e saj. Prindërit nuk kalojnë kohë me fëmijët dhe nuk diskutojnë me ta.
Nuk duhet të fokusohemi tek nota, por të interesohemi për sjelljen. Edhe brenda shkollave ka mungesë funksionimi mes strukturave. Nuk ka bashkëpunim të dyanshëm, mes mësuesit dhe psikologut apo punonjësit social”./vizionplus.tv





