Pas protestave të dhunshme antiqeveritare që vazhduan për 13 ditë me radhë, libanezët festojnë sot dorëheqjen e kryeministrit  Saad Hariri.

 

Në një konferencë për shtyp ku u shfaq i dëshpëruar, Hariri tha se i ka ofruar dorëheqjen presidentit Michel Aoun, si një përgjigje ndaj protestave. Ai tha se qeveria e tij, arriti fundin.

 

 “Është bërë mëse e nevojshme që të marr një vendim të tillë për të rregulluar krizën. Do shkoj në pallatin presidencial Baadba për të dhënë dorëheqjen time.  Unë nuk do të lejoj askënd që t’ju kërcënojë ose t’ju trembë. Në rast se nuk dorëhiqem do të ketë më shumë njerëz në rrugë, ndaj zgjedhjet e parakohshme janë zgjedhja më e mirë. Askush nuk është më i madh se kombi”

 

Ndërsa kryeministri njoftoi dorëheqjen, mijëra njerëz brohorisnin nga gëzimi në rrugët e Bejrutit. Megjithatë duket se qytetarët libanezë nuk janë mjaftuar me dorëheqjen e kryeministrit. Ata këmbëngulin se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave të tyre: standarde më të mira jetese, dhe ndëshkimin e zyrtarëve qeveritarë të korruptuar.

 

Javën e kaluar Hariri u përpoq të shuante zemërimin popullor përmes një seri masash të arritura me grupet e tjera në qeverinë e tij, përfshirë edhe lëvizjen Hezbollah, militantët e të cilit nxitën përleshjet e dhunshme në kryeqytet.

 

Në kundërpërgjigje forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba gome për të neutralizuar turmën. 

 

Protestat antiqeveritare u shtrinë edhe në qytetet e tjera të Libanit, në Tripolin verior, deri në Tiros në jug të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *