Subscribe

Gjatë vitit te kaluar sipas INSTAT, u grumbulluan afërsisht 7 milionë litra më pak qumësht lope, krahasuar me vitin 2020 dhe shifrat kanë ardhur në rënie vit pas viti. Kjo si pasojë e reduktimit te numrit të krerëve.

 

Blegtorët thonë se janë detyruar të ulin numrin e lopëve prej kostove të shtuara dhe për rrjedhojë, po grumbullojnë më pak qumësht.

 

BLEGTORË

 

Sot e kam ulur pak, kisha 7 kokë lopë, sivjet kam 4 kokë. 50 litra mora sot. Ka rënie të sasisë së qumështit sepse nuk kanë ushqim ata sepse po të kishin, jepnin edhe 60-70 litra qumësht. Ka më pak qumësht se një pjesë i kanë shitur krerët.

 

Kam 6 kokë bagëti, më përpara mbanim nga 3-4. Është shumë e vështirë, të gjitha tokat janë me qira, çmimet janë shumë të larta. Të marrësh një deng jonxho sot… Marrim qumështin dhe e tregtojmë. 70 litra qumësht marrim në ditë. E shesim me 60 lekë një litër. Leverdi nuk ka se tani çdo gjë është e shtrenjtë.”

 

Më pak qumësht sot po dorëzohet edhe tek industria e përpunimit e cila jep alarmin se nëse vazhdohet kështu, do të kete mungesë të produkteve vendase të bulmetit në treg, kryesisht të djathit.

 

PRONARI I BAXHOS

 

“Nuk e përballojmë dot nevojën e popullit për bulmet. Mungesën e ndjejmë, prodhimi është më i pakët. Kanë ndikuar thatësira, çmimet e barit, misrit, grurit, janë pa leverdi. Nuk mjafton kjo sasi, kemi nevojë për më shumë lëndë. Ne prodhojmë djathtë, kos, djathë kaçkavall, xaxiq, speca me ajkë, gjalp.

 

Nuk ruajmë sasi, prodhojmë dhe dalim në treg. Nëse do të vazhdojë kështu, do të jetë shumë i rrezikuar tregu i vendit me bulmetin. Sot qumështi nga fermerët merret nga 60 lekë të reja për litër, është më lart se viti i shkuar, por sërish pak është. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit për produktin në fund.”

 

Nëse krahasojmë të dhënat e INSTAT të vitit 2018 me ato të vitit 2021, konfirmohet fakti se vitin e shkuar në rafte pati gati 2 milionë kilogramë më pak djathë lope si edhe 134 mijë kilograme më pak gjalp.

 

Veç pakësimit të produkteve vendase në treg, konsumatorët po përballen edhe me çmime më të rritura të tyre, ndërsa paralajëmrimet janë që vala e shtrenjtimit do të vijojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *