Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha në Penslilvani se synon të trefishojë tarifën mbi importin e çelikut nga Kina sepse sipas tij po sakrifikohen në mënyrë të padrejtë vendet e punës së amerikanëve. Eshtë një thirrje për punëtorët amerikanë, në një shtet, që siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, ka një rol qëndror në fushatën presidenciale.

Presidenti Biden u tha punonjësve të industrisë së çelikut në Pensilvani se do t’i mbrojë punët e tyre nga importet e lira kineze.

“Çmimet janë të ulëta në mënyrë të padrejtë pasi kompanive kineze të çelikut nuk u duhet të shqetësohen për fitimin sepse qeveria kineze i ka subvencionuar masivisht. Ato nuk po konkurrojnë, ato po mashtrojnë. Po e shohim dëmin këtu në Shtetet e Bashkuara”, tha Presidenti Joe Biden.

Presidenti Biden u zotua se nuk do të pranojë garën e pandershme kineze, duke e cilësuar Pekinin si “ksenofob”.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian thotë se akuzat për ksenofobi janë hipokrite pasi bëhen nga një vend që sipas tij duhet të heqë masat mbrojtëse kundër Kinës.

“Kina është në dijeni për këto njoftime. Kina do të donte të shtronte pyetjen, “E keni fjalën për Kinën apo për vetë Amerikën”?, tha ai.

Masat e Presidentit Biden ndaj çelikut kinez do ndërmerreshin ndërsa edhe paraardhësi i tij Donald Trump, vuri tarifa për importin e çelikut.

Ekipi i fushatës presidenciale të zotit Trump i tha përmes një deklarate Zërit të Amerikës se “Fushata e Presidentit Biden po sulmon tarifat efektive të Presidentit Trump ndaj Kinës, në një kohë që Bideni dhe Shtëpia e Bardhë po planifikojnë të zbatojnë tarifa të ngjashme. Ekipi i zotit Biden ose po udhëhiqet nga hipokritë ose nga njerëz që nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë”.

Një dallim në qasjen e dy kandidatëve është se zoti Trump i përdori tarifat për të ndikuar marrëveshjet e reja të tregtisë, thotë ekspertja Rachel Ziemba.

“Ata po i përdornin tarifat pjesërisht si një mekanizëm për të ripërcaktuar kushtet e tregtisë. Tani, tarifat po i përdor administrata e Presidentit Biden, duke e vënë Kinën në shënjestër por po përdor edhe politika industriale dhe shtysa të tjera në përpjekje për të nxitur prodhimin amerikan, për të nxitur kompanitë e huaja dhe ato amerikane që të investojnë në Shtetet e Bashkuara”, shprehet Rachel Ziemba nga Qendra për Siguri të Re Amerikane.

Punëtorët e industrisë së çelikut në Pensilvani paraqesin një pjesë të rëndësishme të elektoratit në një shtet që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor për secilin nga kandidatët.

Pjesë e fushatës së Presidentit Biden është edhe kjo reklamë elektorale ku shfaqet edhe metalurgu JoJo Burgess.

“Tani kemi Presidentin më përkrahës ndaj punëtorëve në gjithë historinë e vendit. Donald Trump shqetësohet për një njeri. Për veten” .

Ish Presidenti Trump bëri thirrje për bashkim të votave gjatë një proteste të punonjësve të automobilëve vitin e kaluar, duke u thënë punëtorëve se rregulloret që po vendos administrata Biden janë një sulm ndaj punës së tyre.

“Industria e prodhimit të automobilëve po asgjesohet dhe nuk ka rëndësi se çfarë merrni. Nuk ka rëndësi se çfarë përfitoni në dy, tre apo 5 javë. Kompanitë do të mbyllen dhe këto makina do prodhohen në Kinë ose vende të tjera”, tha zoti Trump.

Një anketë e rrjetit NBC News në fillim të këtij viti tregoi se votuesit e familjeve të sindikatave favorizojnë Presidentin Biden kundrejt parardhësit të tij Trump, por me një diferencë më të vogël se në garën mes tyre në vitin 2020./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *