Presidenti Joe Biden ka publikuar strategjinë e re të administratës se tij kundër sëmundjes së SIDË-s dhe virusit HIV, e cila synon t’i japë fund epidemisë më shumë se 40-vjeçare, duke bërë thirrje për një ripërtëritje të përpjekjeve për t’u përqëndruar tek amerikanët në rrezik.

 

Strategjia e re pohon se personan e gjinisë mashkullore, homoseksualë dhe biseksualë, afrikano-amerikanë e latinë, janë shumë shpesh të stigmatizuar në një kohë kur rezultojnë të jenë të prekur në një masë me të madhe nga HIV, krahasuar me pjesën tjetër të popullatës. Strategjia e re, e cila e shpall racizmin si një “kërcënim për shëndetin publik”, u publikua të mërkurën në Ditës Botërore të Luftës kundër SIDË-s.

 

Ajo synon të shërbejë si një kornizë mbi mënyrën se si administrata duhet t’i hartojë politikat, të kryejë kërkimin shkencor mbi këtë çështje, apo si t’i hartojë programet dhe të bëjë planifikimin, gjatë tre viteve të ardhshme. Epidemia ka vrarë më shumë se 36 milionë vetë në mbarë botën, mes tyre 700,000 amerikanë.

 

“Dua të sigurohem që të gjithë ata persona që janë të infektuar me HIV të marrin trajtimin cilësor të merituar dhe që t’i jepet fund stigmës së dëmshme rreth HIV-it dhe SIDË-s”, tha Biden.

 

Në strategjinë e re thuhet se gjatë brezave “pabarazitë strukturore kanë rezultuar në pabarazi racore dhe etnike shëndetësore, të cilat janë të rënda, dhe në përmasa të mëdha e të papranueshme”.

 

Sipas të dhënave të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve infeksionet e reja me HIV në SHBA ranë rreth 8% nga viti 2015 në 2019, por komunitetet afrikano-amerikane dhe latine, veçanërisht meshkujt homoseksualë dhe biseksualë, vazhdojnë të preken në mënyrë shpërpjestuar, krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.

 

Afrikano-amerikanët përbëjnë rreth 13% të popullsisë në vend, por përbëjnë më shumë se 40% të infeksioneve të reja me HIV. Popullsia latine përbën gati 25% të infeksioneve të reja, ndërsa përbën rreth 18.5% të popullsisë së SHBA-së./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *