Ndonëse kishte premtuar se do të rrinte larg procedurave ligjore që rëndonin mbi djalin e tij, presidenti amerikan në ikje Joe Biden ka ndërrmarrë një veprim të papritur.
Ai ka amnistuar Hunter Biden për akuzat që rëndonin mbi të si armëmbajtje pa leje apo mospagim taksash.
“Sot kam nënshkruar një falje për djalin tim Hunter. Që nga dita që mora detyrën, thashë se nuk do të ndërhyja në vendimmarrjen e Departamentit të Drejtësisë dhe e mbajta fjalën edhe pse kam parë që djali im të ndiqej në mënyrë selektive dhe të padrejtë. Akuzat në rastet e tij erdhën vetëm pasi disa nga kundërshtarët e mi politikë në Kongres i nxitën ata të më sulmonin dhe të sfidonin zgjedhjen time. Asnjë person i arsyeshëm që shikon faktet në çështjet e Hunterit nuk mund të arrijë në ndonjë përfundim tjetër përveç se Hunter u vu në shënjestër vetëm sepse ai është djali im.Shpresoj se amerikanët do ta kuptojnë pse një baba dhe një president do të merrte këtë vendim”, tha Joe Biden.
Nga ana tjetër, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump e ka quajtur vendimin si abuzim dhe ka pyetur nëse në falje janë përfshirë edhe personat e burgosur për sulmin në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021.
Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se Biden nuk do të falë Hunterin, i cili i është nënshtruar një periudhë rehabilitimi nga përdorimi i drogave.
Por vendimi për faljen e tij vlen për të gjitha veprimet që mund të jenë kryer në periudhën 1 janar 2014 deri më 1 dhjetor 2024.
Hunter Biden u shpall fajtor në qershor lidhur me blerjen e një arme në vitin 2018, pasi prokurorët deklaruan se ai gënjeu në një formular në të cilin pretendonte se nuk ishte në varësi të drogës.
Ai po ashtu pritej të dilte në gjyq në shtator, nën akuzat se nuk kishte paguar të paktën 1.4 milionë dollarë taksa.
Por ai pranoi të deklarohej fajtor, disa orë pasi u vendos të fillonte përzgjedhja e trupës gjykuese./vizionplus.tv





