Presidenti Joe Biden u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe diskutoi përpjekjet për të mos lejuar Rusinë që të manipulojë çështjen e furnizimit me gaz natyror të Evropës, për qëllime politike, tha Shtëpia e Bardhë të shtunën.

 

Zoti Biden, i cili ndodhet në Romë për një takim me udhëheqësit e grupit të 20-ës, nënvizoi se ishte e rëndësishme “të sigurohet që Rusia të mos manipulojë furnizimin me gaz natyror për qëllime të dëmshme politike”, tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se zoti Biden dhe zonja Merkel gjithashtu diskutuan edhe për situatën në Afganistan.

 

Më herët të shtunën, të dhënat nga një operator gjerman të një gazsjellësi treguan se rrjedha e gazit natyror rus në Evropë ishte ndalur në një pjesë të tubacionit Yamal-Europe që sjell gaz në Gjermani nëpërmjet Polonisë.

 

Rusia dërgon gaz në Evropën Perëndimore me disa rrugë të ndryshme, duke përfshirë tubacionin Yamal-Europe, i cili ka një kapacitet vjetor deri në 33 miliardë metra kub.

 

Gazpromi rus tha të shtunën se kërkesat e konsumatorëve evropianë për gaz natyror po plotësoheshin.

 

Fluksi i eksportit të gazit rus po vëzhgohet nga afër në një kohë kur çmimet e gazit në Evropë po rriten ndërsa ekonomia globale po rimëkëmbet nga pandemia.

 

Gazpromi rus është akuzuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe disa ligjvënës evropianë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të rritur furnizimet e saj me gaz natyror në Evropë. Kompania ruse ka thënë se ka përmbushur detyrimet e saj kontraktuale./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *