Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dënuar ashpër homologun  e tij rus, Vladimir Putin për sulmin ndaj Ukrainës.

 

Në fjalimin e tij në Kongres, kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkoi unitetin e të gjithëve për t’iu përgjigjur Kremlinit, ndërsa e cilësoi Putin si një diktator të izoluar.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I SHBA –së

 

“Fakti që diktatori rus pushtoi një vend të huaj është një kosto shumë e lartë për të gjithë botën. Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin u përpoq t’i tundte themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta bëjë atë të përkulet përpara mënyrave të tij kërcënuese. Por, ai llogariti keq. Ai tashmë është më i izoluar se kurrë dhe nuk e ka idenë se çfarë e pret. Ne po i shkaktojmë dhimbje Rusisë dhe po mbështesim popullin e Ukrainës. Ndërsa ai mund të bëjë përparim në fushën e betejës, ai do të paguajë një çmim të lartë të vazhdueshëm në planin afatgjatë.”

 

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë popullin ukrainas, por duke nënvizuar sërish se forcat ushtarake amerikane nuk do të përfshihen drejtpërdrejtë.

 

“Forcat tona nuk do të shkojnë në Evropë për të luftuar në Ukrainë, por për të mbrojtur aleatët tanë të NATO-s, në rast se Putini vendos të vazhdojë të lëvizë drejt perëndimit. Për këtë qëllim ne kemi mobilizuar forcat tokësore amerikane, ajrore dhe anijet, për të mbrojtur vendet e NATO-s, përfshirë Poloninë, Rumaninë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Siç e kam bërë të qartë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare me energjinë e plotë të fuqisë sonë kolektive.”

 

Biden lavdëroi homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe qytetarët për guximin dhe vendosmërinë me të cilën po frymëzojnë botën. Ndërkohë, kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se Departamenti i Drejtësisë po krijonte një grup pune për të zbuluar krimet e oligarkëve rusë.

 

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se ministri i jashtëm ukrainas zhvilloi një bisedë telefonike me homologun kinez Wang Yi ku diskutuan për sulmin rus. Ministri kinez raportohet se shprehur keqardhjen për përshkallëzimin e konfliktit, teksa bëri thirrje që të dyja palët  të gjejnë një mënyrë për të zgjidhur çështjen përmes negociatave.

 

Kina abstenoi ne votimin e Këshillit të Sigurimit për të dënuar pushtimin e Ukrainës. Ndërkaq Asambleja e Përgjithshme e OKB -së pritet të votojë sot, pas dy ditësh fjalime nga anëtarët e saj, një projekt-rezolutë  që dënon Rusinë për pushtimin e Ukrainës, duke i bërë thirrje Kremlinit  te tërheqë menjëherë forcat nga vendi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *