Sot u betuan 96 oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të diplomuar në programin “Bachelor” nga Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Brendshëm Taulant Balla, deputetë të Komisionit të Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm  i DPPSH, pedagogë, përfaqësues të misioneve të asistencës së vendeve partnere, familjarë të studentëve e të ftuar të tjerë.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla u ka uruar suksese 96 studentëve të diplomuar në programin “Bachelor” nga Fakulteti i Sigurisë dhe Hetimit, si dhe 31 ekspertëve të Policisë për funksione të veçanta, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë.

Gjatë fjalës së përshëndetjes, Ministri theksoi se “synimi është ta vendosim Policinë e Shtetit në krye të institucioneve më të besueshme. Për mua objektivi është që Policinë e Shtetit të jetë institucioni më i besuar në vend.”

Më tej ai nënvizoi se “sondazhet publike tregojnë një rritje të mbështetjes te policia. Kjo vjen edhe për shkak të suksesit të disa prej operacioneve kombëtare të ndërmarra nga Policia e Shtetit, si “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”. Policia e Shtetit ka treguar dhe vazhdon të tregojë, me rezultate, me operacione konkrete, se është një partner i besueshëm, së pari për qytetarët e po ashtu për agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja.”

Duke folur rreth sfidave që mund të ndeshin punonjësit e rinj në radhët e Policisë së Shtetit, Ministri Balla theksoi fort ruajtjen e integritetit njerëzor e profesional dhe mposhtjen e tundimit për t’iu nënshtruar paligjshmërisë.

“Ata punonjës të Policisë së Shtetit që bëhen mburojë apo i ofrojnë mbështetje krimit dhe paligjshmërisë së çdo lloji, i kanë ditët dhe orët të numëruara. Ata nuk përfaqësojnë Policinë e Shtetit dhe do japin llogari pa shumë vonesë përpara drejtësisë. Është në interesin publik dhe të Policisë së Shtetit që rruga e këtyre elementëve të ndahet sa më parë, njëherë e përgjithmonë nga rruga e Policisë së Shtetit. Ne kemi nisur një proces të thellë të vetëpastrimit të policisë për të pasur qoftë në drejtim, por edhe në rolin bazë, jo vetëm punonjësit më profesionistë, por ata më më shumë integritet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit komunikoi rezultatin e një operacioni tjetër të suksesshëm, ndoshta më i madhi në natyrën e vet zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, ku falë punës hetimore të Policisë së Shtetit, jo vetëm që është goditur një grup i strukturuar kriminal me veprimtari brenda por edhe jashtë Shqipërisë, por si çdo rast, janë goditur edhe ata që nga brenda Policisë së Shtetit i shërbejnë krimit,” u shpreh Balla.

Ai më tej u vuri në dukje se “reformimi dhe vetëpastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i qeverisë dhe Kryeministrit Rama, për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme, duke filluar nga 1 korriku, janë hapa të rëndësishëm në synimin tonë për të pasur një shërbim policor për Shqipërinë, kampione të Ballkanit, edhe sa i përket sigurisë publike.”

Në fund të fjalës së tij, Ministri i Brendshëm u bëri një apel të oficerëve të rinj që të mos tradhtojnë gjakun e dëshmorëve të policisë dhe idealet e parimet drejtuese të organizatës.

“Ju ftoj të mos i tradhtoni kurrë idealet dhe parimet që udhëheqin dhe, edhe nëse mjedisi përrreth mund t’ju tundojë për të bërë të kundërtën. Ju ftoj të mos i tradhtoni kurrë dëshmorët e Policisë së Shtetit dhe gjakun e tyre dhe t’ju them se forca nuk vjen nga aftësitë fizike por ajo vjen nga vullneti i pamposhtur. Uroj që të udhëhiqeni përherë nga parimet e ligjshmërisë, integritetit, të respektit për uniformën, për qytetarët, në detyrën tuaj. Të ndërgjegjshëm mbi ndikimin dhe rëndësinë që veprimet tuaja si punonjës të Policisë së Shtetit do të ketë mbi dhe për jetën e atyre që u shërbeni dhe për imazhin e organizatës,” theksoi ndër të tjera Ministri Balla.

Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku në fjalën e tij siguroi oficerët e rinj për mjedisin e ngrohtë shoqëror e profesional në gjirin e Policisë së Shtetit “shpreh kënaqësinë për nivelit në rritje të interesit të të rinjve tanë për t’iu bashkuar familjes sonë, dhe në frymën e ligjit të ri të Policisë së Shtetit që pritet të miratohet se shpejti do të jenë të mirëpritur në gjirin tonë, ku do të gjejnë gjithë ngrohtësinë shoqërore dhe profesionale që organizata jonë ofron për çdo koleg të ri!”

Oficerëve të rinj të diplomuar nga programi “Bachelor”, u jepet menjëherë grada nënkomisar dhe pasi të marrin emërimet e reja, pritet të kontribojnë cilësisht në parandalimin dhe luftën kundër krimit.

Specialistët e fushave të veçanta si kimi, biologji, IT, – 31 gjithsej, – do të shërbejnë në funksione specifike dhe shumë rë rëndësishme për rendin dhe sigurinë.

Në fund të ceremonisë, u shqiptua formula e betimit për të gjithë të rinjtë që tashmë janë pjesë integrale e Policisë së Shtetit, e cila është akti formal i përkushtimit ndaj uniformës, ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *