Magjistratët ishin emëruar që në fund të korrikut, por për shkak të vlerësimit që u duhej bërë gjyqtarëve ekzistues në gjyqësor, shpërndarja e tyre në 11 institucionet ku ata tanimë do të japin drejtësi u bë me vonesë.
“Duhet të keni një barazi të drejtësisë së ligjit dhe drejtësisë hyjnore. Do të jeni vëmendja e të gjithëve, jo ju personalisht, por profesioni juaj. Vendimi që do të merrni ka shumë rëndësi. Krijoni personalitetin tuaj në raport me integritetin. Nëse keni integritet, misioni është përmbushur. Mos jini krenarë ende për veten tuaj, koha do të tregojë sa krenarë do të jeni”, tha Ilir Rusi, kreu i KLGJ.
Kryetarja e KLP, Mirela Bogdani, rikujtoi gjyqtarin e vrarë në sallën e gjyqit, Astrit Kalanë.
Dua gjithashtu edhe t’ju kujtoj me shumë dhimbje humbjen e një jete gjyqtari në ambientet e gjykatës, në ushtrimin e detyrës. Krahas profesionalizmit, i cili duhet t’ju karakterizojë në çdo hap të profesionit tuaj, t’ju bashkëshoqërojnë edhe vlerat njerëzore, komunikimi me njëri-tjetrin dhe ndërveprimi për të krijuar një sistem që ta mirëmenaxhoni. Duke filluar që nga çështjet e sigurisë që janë shtruar për diskutim, deri te të gjitha të tjerat me të cilat do të përballeni, tha Mirela Bogdani, Kryetarja e KLP.
Një mesazh e dha edhe Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ku të 42 gjyqtarët kanë mbaruar studimet.
Shumica e tyre janë akomoduar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Elbasanit, të Fierit dhe atë Administrative në Lushnjë, me nga 7 gjyqtarë secila, ndërsa pjesa tjetër në Shkodër, Berat, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Vlorë e Sarandë.
Nevoja më urgjente për gjyqtarë paraqitet në Apelin e vetëm të vendit në Tiranë, ku nga 78 gjyqtarë që kërkon organika e përgjithshme, kanë mbetur vetëm 31.
/vizionplus.tv





