E premte, 6 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Beteja e vështirë e Le Pen, të gjithë në mbështetje të Macron

Marine Le Pen do ta ketë të vështirë të mundë rivalin e saj Emmanuel Macron në garën për president të Francës në balotazhin e 7 majit. Partitë kryesore franceze janë rreshtuar përkrah tij për t’i hapur rrugën e fitores. Fillimisht republikani Francois Fillon dhe socialisti Benoit Hamon u bënë thirrje mbështetësve të tyre të votojnë për Macron dhe jo lideren e ekstremit të djathtë. Edhe presidenti aktual Francois Hollande sqaroi gjatë një fjalimi në televizion se përse do të votojë për Macron.

 

Francois Hollande: E djathta ekstreme do të kërcënojë të copëtojë Europën, të përçajë thellësisht Francën dhe duke pasur parasysh këtë rrezik, unë do të votoj Emmanuel Macron. Këtu është në lojë uniteti i Francës, anëtarësimi në Europë dhe vendi i saj në botë.

 

Reklamë

Por pas këtyre deklaratave rivalja e Macron, Le Pen e ka sulmuar atë duke deklaruar se ai është i dobët të përballet me çështje të rëndësishme, siç është edhe terrorizmi islamik. Tashme pritet qëndrimi që do të mbajë kandidati i ekstremit të majtë Jean-Luc Mélenchon, që u rendit i katërti në garë.

 

Sipas një sondazhi të fundit, në raundin e dytë Macron do të marre 61 përqind të votave, kundrejt 39 përqind të Le Pen. Por edhe nëse fiton ose humbet analistët besojnë se ajo mbetët një makth për BE-në. Shansi i artë për të është që ta paraqesë kundërshtarin e saj si pjesë të  një elite të shkëputur nga francezët e zakonshëm dhe problemet e tyre.

 

Në një analizë të zgjedhjeve presidenciale franceze, gazeta “Washington Post” thekson se të jashtmit fituan në një vend ku politikën e kanë dominuar partitë e qendrës së majtë, apo të djathtë, duke e cilësuar këtë një sinjal se këto parti tradicionale duhet të ndryshojnë, ose të përballen me katastrofa elektorale.

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë